Transmetuar më 09-11-2026, 10:42

TIRANË — Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur konkluzionet përfundimtare në dosjen e bujshme të vrasjeve të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, të ndodhura në vitin 2005, duke kërkuar në total 150 vite burg për gjashtë të pandehurit dhe 8 vite për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Luftar Reçi.

Në pretencën e dorëzuar përpara Gjykatës së Posaçme, SPAK kërkon dënimin me nga 25 vite heqje lirie për secilin prej të pandehurve: Viktor Bajraktari (Imeraj), Emiljano Shullazi, Indrit Taullai, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj dhe Indrit Rusi. Për të gjithë ata është kërkuar vuajtja e dënimit në burgje të sigurisë së lartë.

Detajet e pretencës për secilin të pandehur

Viktor Bajraktari (Imeraj): Kërkohen 25 vite burg për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit në bashkëpunim dhe grup të strukturuar kriminal, bashkë me vepra të tjera penale si falsifikim dhe mbajtje e sendeve të ndaluara në burg.

Emiljano Shullazi: Kërkohen 25 vite burg për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Indrit Taullai: Kërkohen 25 vite burg për vrasjet e Vajdin Lamajt, Artan Arsit dhe Klodian Saliut, si dhe për tentativën e vrasjes së Osman Trumës dhe armëmbajtje pa leje.

Lulzim Berisha: Kërkohen 25 vite burg për vrasjen me paramendim të Klodian Saliut, tentativën e vrasjes së Osman Trumës, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal.

Plaurent Dervishaj: Kërkohen 25 vite burg për vrasjen e Klodian Saliut, tentativën ndaj Osman Trumës, armëmbajtje pa leje dhe grup të strukturuar kriminal.

Indrit Rusi: Kërkohen 25 vite burg për vrasjen e Klodian Saliut, plagosjen/tentativën ndaj Osman Trumës, armëmbajtje dhe organizatë kriminale.

Rasti i të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi

Për bashkëpunëtorin e drejtësisë Luftar Reçi, dëshmia e të cilit shërbeu si pikë kthese në zbardhjen e ngjarjeve gjatë operacionit “Asgjë nuk harrohet”, prokuroria kishte kërkuar fillimisht 25 vite burg për akuzat e rënda të ngritura. Megjithatë, duke zbritur dispozitat ligjore për përfitimet e statusit të të penduarit, SPAK ka propozuar uljen përfundimtare të dënimit në 8 vite burgim.

Klodian Saliu u ekzekutua më 26 shkurt 2005 në aksin Durrës-Maminas, ndërsa një ditë më vonë, më 27 shkurt, Vajdin Lamaj dhe miku i tij Artan Arsi u vranë në Tiranë nga një shpërthim eksplozivi në ashensorin e pallatit. Çështja tani kalon në fazën e vendimmarrjes përfundimtare nga trupa gjykuese e GJKKO-së.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit