

PRISHTINË — Prania e misionit të NATO-s në Kosovë nuk pritet të ndikohet drejtpërdrejt nga ndryshimet e mundshme në arkitekturën e sigurisë evropiane, por perspektiva e Kosovës për anëtarësim në Aleancë dhe marrëdhëniet e saj të sigurisë me Shtetet e Bashkuara mund të përballen me sfida të reja.
Lidhur me propozimin e paraqitur më 5 nëntor nga i dërguari i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se dy çështje kanë rëndësi të veçantë për Kosovën: përpjekjet e Rusisë për të penguar zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s dhe ato për të kufizuar praninë ushtarake amerikane në kontinent.
Pse KFOR-i mbetet i paprekur nga diskutimet?
Sipas Shea, misioni i KFOR-it nuk pritet të preket nga korniza e re për shkak të mandatit të tij paqeruajtës të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila është miratuar edhe me votën e Rusisë. Moska synon të kufizojë praninë e forcave të NATO-s me armatim të rëndë në Evropën Qendrore dhe Lindore, ndërsa KFOR-i nuk bën pjesë në këtë kategori.
Gjithashtu, zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, konfirmoi takimet e zhvilluara më 5 nëntor në Bruksel midis përfaqësuesve të NATO-s, SHBA-së, Ukrainës dhe BE-së në prag të bisedimeve të planifikuara në Abu Dabi, pa dhënë detaje mbi përfshirjen e Kosovës apo KFOR-it në këto diskutime. Aktalisht KFOR-i numëron rreth 4.700 ushtarë, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka përmendur si objektiv një ulje graduale drejt niveleve 3.000 deri në 3.500 ushtarësh, në varësi të kushteve të sigurisë.
Pengesat për anëtarësimin në NATO dhe roli evropian
Nëse prania e KFOR-it mbetet e stabilizuar, aspiratat e Kosovës për anëtarësim mund të përballen me pengesa direkte nëse Rusia kushtëzon marrëveshjet me ndalimin e zgjerimit të Aleancës. Me gjithë qëndrimin zyrtar të Uashingtonit dhe NATO-s kundër çdo të drejte vetoje nga shtetet e treta, kërkesat e Moskes për kufizimin e dyerve të hapura mund të ndikojnë negativisht mbi Kosovën, e cila përballet edhe me mosnjohjen nga katër anëtarë të Aleancës (Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia).
Sa i përket pranisë ushtarake amerikane prej rreth 600 trupash në kampin Bondsteel, Shea nëvizoi se SHBA po rishikon angazhimet ushtarake duke i kërkuar aleatëve evropianë të marrin më shumë përgjegjësi. Në këtë kuadër, Kosovës i sugjerohet të forcojë marrëdhëniet me vendet evropiane dhe Bashkimin Evropian, në kushtet kur drejtuesit e diplomacisë evropiane si Kaja Kallas dhe Jean-Noel Barrot kërkojnë që Evropa të ketë rol parësor në negociatat mbi sigurinë e kontinentit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






