Transmetuar më 08-11-2026, 23:23

Inteligjenca artificiale pritet të luajë një rol kyç në diagnostikimin e hershëm mjekësor, falë një projekti të ri që synon të identifikojë shenjat e diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare përmes kontrolleve rutinë të syve.

Iniciativa po zhvillohet nga qendra Northern Ophthalmic Research and Innovation (NORI) në Universitetin e Sunderlandit, e cila ka siguruar një financim prej 12.2 milionë paundësh nga qeveria britanike përmes organizatës UK Research and Innovation (UKRI).

Teknologjia e re do të analizojë skanimet e syve duke i krahasuar ato me të dhënat shëndetësore të pacientëve dhe informacionet e mbledhura nga komuniteti. Qëllimi është evidentimi i ndryshimeve mikroskopike në enët e gjakut dhe indet nervore në pjesën e pasme të syrit, të cilat shërbejnë si sinjale të hershme të sëmundjeve përpara se të shfaqen simptomat e para.

Në fazat e para, projekti do të përqendrohet te diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa në të ardhmen studiuesit synojnë zgjerimin e përdorimit të teknologjisë edhe për identifikimin e demencës dhe goditjeve në tru.

Bashkëdrejtori i NORI-t, Matthew Campbell, bëri të ditur se fondet do të përdoren për zhvillimin, testimin në kushte reale dhe zgjerimin ndërkombëtar të kësaj teknologjie. Nga ana e tij, ministri britanik i Shkencës, Chris McDonald, theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm për përmirësimin e shëndetit të pacientëve dhe lehtësimin e ngarkesës në sistemin shëndetësor publik, NHS.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit