

Një seri analizash të siguruara nga Top Channel për periudhën 27–29 tetor kanë rikthyer në vëmendje skandalin e pranisë së aflatoksinës M1 në qumështin e prodhuar në ferma dhe baxho në Shqipëri, duke tejkaluar ndjeshëm normat e lejuara të Bashkimit Evropian.
Sipas standardeve të BE-së, kufiri maksimal i lejuar i kësaj mikotoksine – e cila klasifikohet si kancerogjene dhe dëmton kryesisht mëlçinë – është 0,050 ppb për litër. Megjithatë, fletëanalizat dëshmojnë shifra alarmante tejkalimi:
Në rastin e parë, norma është kapërcyer me 208% (duke arritur në 0,154 ppb).
Në raste të tjera, nivelet rezultojnë të larta me 128%, si dhe në kufijtë e 106–104% mbi normën maksimale të BE-së.
Eksperti i sigurisë ushqimore, Kapllan Sulaj, thekson se ky qumësht i kontaminuar arrin te konsumatorët përmes shitësve ambulantë, baxhove të vogla dhe fabrikave që prodhojnë nënprodukte bulmeti. Nga ana e saj, ekspertja Ana Vuksani vë në dukje se ky problem lidhet drejtpërdrejt me faktin se 64% e importuesve dhe përpunuesve të drithërave e miellit nuk janë kontrolluar në pesë vitet e fundit, çka ka sjellë ushqim të kontaminuar për kafshët. Për shkak të mungesës së zinxhirit të gjurmueshmërisë nga ferma në tavolinë, produktet shtazore Made in Albania vazhdojnë të refuzohen nga tregu evropian.
Ekspertët bëjnë thirrje që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) të ndërmarrë kontrolle të rrepta laboratorike për çdo ngarkesë misri për kafshë që importohet, si dhe të kryejë inspektime të vazhdueshme në ferma, tregje dhe fabrika, duke bllokuar dhe asgjësuar çdo sasi të kontaminuar në vend që të përfundojë në tryezat e qytetarëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






