

Një 17-vjeçar, i cili është gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra pas protestës së djeshme para Kryeministrisë, ka rrëfyer kushtet e rënda ekonomike në të cilat jeton familja e tij.
Në prononcimin e tij, i riu tregoi se në momentin e protestës ishte duke luajtur dhe nuk ishte pjesë e tubimit.
Ai tha se nuk ka mundësi financiare për të shlyer një gjobë kaq të lartë dhe për më tepër brenda afatit prej 10 ditësh dhe se nuk ka guxuar t’i tregojë as babait të tij për masën ndëshkimore.
“Nëna më ka vdekur, më ka ndërruar jetë ka vite. Me kemp kam familjarët, që marrin në total 240 mijë lekë. Nuk na del aspak. Unë kam punuar në mobileri, merrja 360 mijë lekë, nuk del për asgjë. Unë kam dalë për të drejtat e mia dhe të drejtat e Shqipërisë”, u shpreh 17-vjeçari.
Pavarësisht situatës së vështirë dhe gjobës, ai theksoi se asgjë nuk e tremb dhe se do të vazhdojë të marrë pjesë në tubime derisa kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen.
"Shteti asgjë nuk më jep për vdekjen e nënës, vetëm në shkollë marr një bursë.
Nuk kam ku t’i gjej lekët. Në protestë do marr pjesë derisa të japë dorëheqjen Rama. Nuk më frikëson asgjë."
Sakaq kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas gjobës prej 5 milionë lekësh të vendosur ndaj një 17-vjeçari që mori pjesë në protestën e së shtunës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi e cilëson vendimin një akt çnjerëzor dhe të papranueshëm, duke theksuar se bëhet fjalë për një të mitur jetim, të cilin shteti duhet ta mbrojë dhe jo ta ndëshkojë.
Bardhi i ka bërë thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që të revokojë gjobën e vendosur ndaj të riut.
"Të gjobisësh me 5 milionë lekë një fëmijë jetim, vetëm pse ka marrë pjesë në një protestë, nuk është thjesht një akt i paligjshëm, por një akt çnjerëzor, mizor dhe thellësisht i papranueshëm. Shteti ka detyrimin të kujdeset për këtë fëmijë, ta mbrojë dhe t’i garantojë të drejtat e tij, jo ta gjobisë, ta frikësojë apo ta ndëshkojë në mënyrë arbitrare.
Duke e dënuar me forcën më të madhe këtë akt antihuman, i bëj thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që, qoftë edhe për pak sekonda, të lërë mënjanë bindjen dhe shërbimin politik ndaj Edi Ramës, të revokojë gjobën e vendosur ndaj këtij fëmije dhe të tregojë, të paktën një herë, se në ushtrimin e detyrës së tij ka mbetur ende një grimcë njerëzillëku.
Sepse policia duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, jo në shërbim të pushtetit. Dhe shteti nuk duhet të kthehet kurrë në instrument frikësimi dhe ndëshkimi ndaj më të pambrojturve" – shkroi Bardhi në rrjetet sociale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






