Transmetuar më 08-11-2026, 17:24

Të paktën katër persona kanë humbur jetën, përfshirë njërin prej drejtuesve të trenave, dhe 88 të tjerë kanë rmarë plagë si pasojë e një përplasjeje të rëndë mes dy trenave në jug të Kajros, në Egjipt. Bilanci i viktimave mund të ndryshojë teksa operacionet e shpëtimit vijojnë.

Aksidenti ndodhi në linjën hekurudhore midis stacioneve Kafr Ammar dhe Al-Raqqa, kur një tren që udhëtonte nga Giza drejt oazit Fayoum (rreth 100 kilometra në jug të Kajros) goditi nga pas një tjetër tren që po udhëtonte nga kryeqyteti drejt qytetit jugor të Asuanit. Si pasojë e përplasjes së fortë, disa vagonë kanë dalë nga shinat dhe janë përmbysur, ndërsa pamjet nga vendngjarja dëshmojnë shkatërrimin e plotë të njërit prej vagonëve që ka përfunduar mbi një tjetër në anë të shinave.

Ministria egjiptiane e Shëndetësisë angazhoi menjëherë 72 ambulanca për transportimin e të plagosurve në tre spitale të ndryshme, ndërsa ekipet e emergjencës po përdorin mjete të rënda për të larguar vagonët e dëmtuar dhe për të kërkuar për persona të tjerë të bllokuar.

Ngjarja on ka kaluar pa reagime nga krerët më të lartë të shtetit. Presidenti Abdul Fattah al-Sisi deklaroi se po e ndjek situatën nga afër, duke urdhëruar kujdes të plotë mjekësor për të plagosurit, hetimin e menjëhershëm të rrethanave të aksidentit dhe vënien para përgjegjësisë të kujtdo që rezulton përgjegjës për neglizhencë. Nga ana e tij, kryeministri Mostafa Madbouly u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave dhe garantoi mbështetje institucionale për familjet dhe të lënduarit.

Autoritetet egjiptiane kanë nisur hetimet zyrtare për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e sakta që çuan në këtë katastrofë hekurudhore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit