

Sot u bënë 564 vjet nga data 8 nëntor 1462, kur kryeipeshkvi i Durrësit, Imzot Pal Engjëlli, hodhi në letër “Formulën e Pagëzimit”, dokumentin më të hershëm të njohur deri më sot në gjuhën shqipe.
Shkruar brenda një qarku tekstual në gjuhën latine, gjuha e kishës në atë kohë, formula historike shqipe ruhet në formën:“Un te pagezonj pr’emen’t Atit e t’birit e t’shpirtit shenjt”, që në shqipen e sotme përkthehet: “Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt”.
Lidhur me këtë ngjarje të shënuar për identitetin kombëtar, ka reaguar edhe kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili në mesazhin e tij u shpreh:
“Më shumë se pesë shekuj më parë, këto fjalë të arta të gjuhës sonë u hodhën në letër, duke hyrë kështu në përjetësi dhe na lënë një trashëgimi me vlerë historike për identitetin tonë kombëtar. Gjuha shqipe është një nga pasuritë më të çmuara që kemi trashëguar. Ta flasim me krenari, ta ruajmë dhe t’ua përcjellim brezave të ardhshëm me dashuri e përkushtim.”
Dokumenti u hartua si fryt i vizitës baritore që Imzot Pal Engjëlli — i lindur rreth vitit 1417 në familjen fisnike të Engjëllorëve të Drishtit, mik, këshilltar dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Gjergj Kastriotit Skënderbeut — ndërmori nëpër kishat famullitare të kryedioqezës së Durrësit. Përmes këtij qarku, ai u la porosi priftërinjve dhe besimtarëve që foshnjat në rrezik vdekjeje t’i pagëzonin në gjuhën shqipe, duke dëshmuar përdorimin e saj të shkruar në shekullin XV.
Dokumenti origjinal ruhet sot në Bibliotekën Laurentiane të Firencës, ndërsa u zbulua për herë të parë nga historiani rumun Nicolae Iorga në vitin 1915.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






