Transmetuar më 08-11-2026, 16:12

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë komunikimit të tij javor me qytetarët, ka komentuar nismat e mundshme të studentëve për të shndërruar protestat në lëvizje politike, duke i dhënë një mesazh të qartë kujt synon të kopjojë modele të ngjashme me ato të Serbisë apo të shpresojë te zhdukja e opozitës ekzistuese. Berisha u shpreh:

“A ka ngjashmëri me skenarin serb, në qoftë se e duan një këshillë miqësore paraprake? Jo, absolutisht! Thjesht miqësore, unë u them se nuk ka ngjashmëri. Skenari serb, siç e dini, është skenar i udhëhequr i tëri nga infrastruktura shtetërore e universiteteve të Serbisë. Me në krye rektorin e Beogradit, me në krye të gjithë dekanët, pra ishte bota akademike zyrtare shtetërore serbe që udhëhoqi lëvizjen e studentëve. Së dyti, skenari serb ishte një skenar që u zhvillua në dy vite, në 700 e sa ditë. Së treti, lista studentore në Serbi përballej me një numër prej 30 e sa partish opozitare të vockla që shkonin maksimumi mos gabohem gjer në 7-8%. Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike. Ndaj dhe ajo që u sugjeroj të gjithë atyre, ata kanë shumë të drejtë të ndërmarrin çdo hap, vetëm të mos besojnë në atë që nuk është reale.”

Lidhur me tensionet në protestat e fundit, kryedemokrati theksoi se incidentet nuk janë shkaktuar nga studentët e mirëfilltë, por nga individë të paguar enkas për të provokuar.

Në fokus të fjalës së tij ka qenë edhe bashkimi i opozitës për zgjedhjet e 9 Majit, ku Berisha ripërsëriti thirrjen për tryezë të përbashkët dhe kompromise, duke u ndalur te kushtet e mundshme për largimin e tij:

“Partia Demokratike është e sinqertë, është e hapur dhe absolutisht e gatshme për kompromise dhe ujdi me këto forca politike për kandidatë të përbashkët në mbarë vendin dhe për një betejë të përbashkët në rrëzimin e Edi Ramës në Tiranë dhe kudo në Shqipëri. Dhe unë prapë shfrytëzoj këtë moment, t’u bëj thirrje drejtuesve të këtyre partive të lënë me një anë kundërshtitë dhe të bashkohemi për të shpëtuar Shqipërinë nga një e keqe e madhe që s’e ka pasur ndonjëherë. Çdo hezitim shkon në favor të Edi Ramës.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit