

Autoritetet polake kanë zbardhur detaje tronditëse rreth ngjarjes së rëndë që tronditi vendin, duke identifikuar 24-vjeçarin Michal Oksinski si autorin e sulmit të përgjakshëm në Krakov, ku humbën jetën nëntë persona në total, përfshirë tre anëtarë të familjes së tij.
Sipas hetimeve paraprake, Oksinski fillimisht ekzekutoi në gjumë babanë 53-vjeçar, nënën 52-vjeçare dhe motrën e tij 21-vjeçare — studente në Akademinë e Arteve të Bukura "Jan Matejko", e cila ishte kthyer për fundjavë në shtëpi — në banesën e familjes në qytetin Ostrowiec Świętokrzyski. Gjatë kontrollit në apartament, policia gjeti shtatë armë zjarri, ndërsa autori rezultonte të kishte pasur leje armëmbajtjeje dhe të ishte i apasionuar pas qitjes sportive.
Pas krimit në familje, 24-vjeçari u nis drejt Krakovit me makinën e të atit dhe, pak pas orës 15:00 të së shtunës, hyri me automjet në sheshin qendror Rynek Główny, ku qëlloi pa dallim ndaj kalimtarëve. Nga të shtënat në shesh u vranë gjashtë persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, përfshirë dy efektivë policie. Autori u neutralizua dhe u arrestua nga forcat e rendit brenda tre minutash nga nisja e sulmit, pasi u plagos gjatë një shkëmbimi zjarri.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, ka bërë të ditur se autoritetet po hetojnë mundësinë e ndikimit të ideologjive të ekstremit të djathtë dhe ultranacionaliste te 24-vjeçari, ndërsa vijojnë verifikimet për të zbardhur motivet e sakta të kësaj tragjedie të paprecedentë.


Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






