

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas përplasjeve të ndodhura gjatë protestës së zhvilluar përpara Ministrisë së Arsimit, duke mohuar që incidentet të jenë shkaktuar nga studentët.
Berisha deklaroi se personat që provokuan përplasjet me simpatizantët demokratë ishin provokues të paguar dhe nuk kishin asnjë lidhje me lëvizjen studentore.
“Asnjë incident nuk pati nga studentët. Zero incidente. Ata ishin që të gjithë të paguar fort për të provokuar dhe për të krijuar incidente. Po t’i rishihni videot, janë persona 30 deri në 50 vjeç, kështu që s’kanë asgjë të përbashkët me studentët. Ata janë zjarrfikës të paguar profesionistë”, tha Berisha.
Kryetari i PD-së nëvizoi se Partia Demokratike ka qenë dhe do të mbetet në mbështetje të kësaj kauze, duke kujtuar se zyra ligjore e partisë ka ofruar mbrojtje për mbi 600 studentë gjatë proceseve gjyqësore.
“Që kur ka filluar revolta studentore e thirrur nga Sindikata e Pavarur e Arsimit të Lartë, të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së u janë përgjigjur ndër të parët. Deputetët dhe drejtuesit tanë kanë marrë pjesë në mënyrë konstante duke bërë një mbrojtje efikase. Ne jemi parti proteste, kemi lindur në protestë dhe do të jemi në mbështetje të tyre, jo me simbolet tona por në respekt të studentëve. Ndaj ftoj të gjitha forcat politike opozitare dhe qytetarët t’i mbështesin studentët”, përfundoi Berisha.
Deklarata e plotë:
“Siç e patë ju, asnjë incident nuk pati nga studentët. Zero incidente. Unë mund të them ty, i kam dhe emrat e tyre. Dhe mund t’ua them, por vetëm për hir të asaj që s’po më duket e drejtë se do ta marrin si një sulm të egër personal, por absolutisht ata ishin që të gjithë të paguar fort për të provokuar dhe për të krijuar incidente.
Në qoftë se e vutë re, pikërisht aty ku u krijuan ato dy-tre, ndodheshin si për çudi mediat e qeverisë që t’i filmonin.
Por ata edhe njëherë, nuk janë studentë. Ju i rishihni edhe njëherë videot. Janë persona që ka prej tyre dhe 40-50 vjeç, ka të tjerë 30-vjeçarë me radhë, kështu që s’kanë asgjë të përbashkët me studentët.
Por një gjë, në qoftë se ju quani studentë disa eksponentë që i morën shpirtin Flamingove, gaboni. Ata janë rrezik për çdo lëvizje. Ata janë zjarrfikës të paguar profesionistë. Kështu që nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën.
Kurse, ata që thonë se kjo protestë ishte e popullit, dje populli siç e patë ishte populli demokrat. Dhe ka qenë dhe do të jetë populli demokrat në mbështetje të studentëve, në mbrojtje të tyre.
Që kur ka filluar revolta studentore, e cila është thirrur dhe njëherë nga Sindikata e Pavarur e Arsimit të Lartë, thirrje të cilës të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në universitete, në shkolla të mesme dhe jashtë universiteteve u janë përgjigjur ndër të parët.
Deputetët e Partisë Demokratike, drejtuesit e saj, në mënyrë konstante kanë marrë pjesë në to. Dhe përveç pjesëmarrjes si mbështetje, kanë bërë një mbrojtje efikase të studentëve nga policia, narkopolicia, nga proceset gjyqësore dhe të tjera.
Janë mbi 600 studentë, të cilët kanë marrë mbrojtje ligjore nga zyra jonë ligjore. Ndaj dhe ne jemi parti proteste. Kemi lindur në protestë dhe do të jemi në këtë protestë. Jo me simbolet tona, në respekt të studentëve dhe pluralitetit të tyre, por në mbështetje të plotë. Dhe unë ftoj edhe njëherë të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë qytetarët, t’i mbështesim studentët”, tha Sali Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






