

ZYRIH — Imami me origjinë shqiptare Bashkim Aliu është detyruar të largohet nga të gjitha funksionet e tij publike në Zvicër, pas një hulumtimi të publikuar nga gazeta SonntagsZeitung që zbardhi deklarata homofobe dhe kontakte me qarqe radikale islamike.
Aliu mbante detyrën e drejtuesit të Komisionit të Imamëve pranë Federatës së Organizatave Islamike në Zvicër (FIDS) dhe shërbente si autoriteti më i lartë teologjik i Bashkimit të Organizatave Islamike në Zyrih (VIOZ). Pas publikimit të gjetjeve, FIDS e shkarkoi menjëherë nga detyra, ndërsa vetë imami dha dorëheqjen nga të gjitha postet brenda strukturave të VIOZ-it.
Deklaratat dhe pjesëmarrja në konferencën me liderin e Hamasit
Hulumtimi i medias zvicerane zbuloi qëndrime kontroverse të Aliut, përfshirë një reagim publik të vitit 2017 ku ai e cilësonte paradën "Pride" në Prishtinë si "paradë të turpit". Organizatat FIDS dhe VIOZ u distancuan prerazi nga këto deklarata, duke nëvizuar se qëndrimet që cenojnë dinjitetin njerëzor bien ndesh me ligjet zvicerane.
Elementi më i rëndë i hetimit ndërlidhet me udhëtimin e Aliut në Doha të Katarit në janar të vitit 2024, ku ai mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Bashkimit Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë. Në këtë veprimtari mbajti fjalim edhe ish-shefi i krahut politik të Hamasit, Ismail Hanije.
Drejtuesit e organizatave islamike në Zvicër deklaruan se nuk kishin dijeni për udhëtimin e tij. Çështja ka marrë përmasa të mëdha politike edhe për shkak të fondeve publike, pasi kantoni i Zyrihut i ka kaluar VIOZ-it rreth 2,5 milionë franga për projektin e kujdesit shpirtëror islamik në institucionet publike, përveç një mbështetjeje vjetore prej 50 mijë frangash nga vetë qyteti.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






