

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas konfirmimit të nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) lidhur me librin e saj hetimor “Albanian Files”, të prezantuar më 24 qershor 2026. Zhupa thekson se ky botim shërben si një dosje e plotë provash që dëshmon përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Ramës.
Sipas deputetes, libri dokumenton 523 projekte të realizuara nga studio ndërkombëtare arkitekturore, duke ngritur dyshime të forta mbi mënyrën e përzgjedhjes, mungesën e garës dhe konkurrencës së hapur, si dhe praktikat e përshtatjes së ligjeve dhe institucioneve sipas interesave të investitorëve të privilegjuar. Zhupa shprehet se territori i vendit është trajtuar si pronë private dhe plaçkë për t’u ndarë nën drejtimin e kreut të qeverisë.
Në reagimin e saj, ajo kërkon që institucionet e drejtësisë t’i shkojnë deri në fund hetimeve, duke zbardhur lidhjet mes arkitektëve, investitorëve dhe vendimmarrjes shtetërore, dhe thekson se nëse hetimi do të jetë real dhe i plotë, “Albanian Files” do të jetë dokumenti që do të çojë Edi Ramën në burg.
Reagimi Ina Zhupës:
Më 24 qershor 2026, kam paraqitur para shqiptarëve librin që, siç e kam thënë që në ditën e prezantimit, do të bëhej dosje për SPAK-un dhe do të sillte përgjegjësi për Edi Ramën.
SPAK ka konfirmuar nisjen e hetimeve për librin “Albanian Files”.
Një botim që ekspozon Shqipërinë private të Edi Ramës: betonin, privilegjet dhe territoret e dhuruara. 523 projekte, të realizuara nga studio ndërkombëtare, që duhen hetuar për mënyrën e përzgjedhjes, mungesën e konkurrencës së hapur, paracaktimin, qepjen e ligjeve me porosi për ta dhe lidhjet mes arkitektëve, investitorëve dhe vendimmarrjes shtetërore.
Territori është trajtuar si plaçkë për t’u ndarë, ndërsa ligjet dhe institucionet janë përdorur për t’iu përshtatur interesave të investitorëve të privilegjuar sipas dëshirave të Edi Ramës.
Prova e SPAK nuk është rregjistrimi i një procedimi por t’i shkojë deri në fund. Nëse hetimi bëhet real, Albanian Files do e çoj Ramën në burg!
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






