

Ekonomia shqiptare ka vijuar zgjerimin e saj gjatë vitit 2025, duke arritur një Prodhim të Brendshëm Bruto prej 26.5 trilionë lekësh (rreth 27 miliardë euro) dhe një rritje prej 3.66%, ritmi më i ulët që prej periudhës së rimëkëmbjes nga pandemia. Megjithatë, struktura e kësaj rritjeje nxjerr në pah një varësi të theksuar nga sektorë që gjenerojnë qarkullim të lartë por krijojnë pak kapacitete prodhuese afatgjata, ku një pjesë e konsiderueshme e zgjerimit i detyrohet administratës publike dhe taksave neto.
Pesha e lartë e ndërtimit dhe tkurrja e industrisë përpunuese Sektori i ndërtimit është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë, duke zënë rreth 12.6% të PBB-së – niveli më i lartë jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në raport me mesataren evropiane, e cila rrotullohet rreth 5%. Në vende të tjera të rajonit, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia apo Mali i Zi, pesha e ndërtimit lëviz nga 3.8% deri në 7.8%.
Analiza e bilanceve të kompanive tregon se ky zgjerim nuk mbështetet kryesisht te kredia bankare, e cila zë vetëm rreth 5% të aktiveve, por te paradhëniet e klientëve dhe detyrimet ndaj furnitorëve, duke e bërë sektorin të ndjeshëm ndaj ecurisë së tregut të pasurive të paluajtshme dhe parave informale.
Në krahun tjetër, industria përpunuese ka shënuar tkurrje për nëntë tremujorë radhazi, duke zbritur në rreth 214 miliardë lekë në vitin 2025. Përveç rënies së prodhimit, eksportet tradicionale të fasonerisë po përballen me rritje të kostove, mungesë të fuqisë punëtore dhe humbje të avantazhit të çmimit të lirë të punës.
Krahasimi me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut Struktura e bizneseve më të mëdha pasqyron modele krejtësisht të ndryshme ekonomike në rajon:
Maqedonia e Veriut: Falë politikave të Zonave Teknologjike Industriale të Zhvillimit (TIDZ), vendi ka tërhequr gjigantë ndërkombëtarë të industrisë automotive si Johnson Matthey apo Kromberg & Schubert. Këto ndërmarrje gjenerojnë mijëra vende pune dhe përbëjnë shtyllën e eksporteve dhe prodhimit.
Serbia: Ekonomia serbe mbështetet te një bazë e gjerë industriale. Industria përpunuese dhe ajo nxjerrëse gjenerojnë mbi 54% të fitimit neto të 100 kompanive më të mëdha, të udhëhequra nga gjigantë minerarë dhe prodhues.
Shqipëria: Në kontrast të plotë, 100 kompanitë më të mëdha dominohen nga tregtia, e cila zë mbi 56% të të ardhurave, e ndjekur nga energjetika dhe ndërtimi. Industria përpunuese pëfaqëson vetëm rreth 3.6% të qarkullimit të 100 ndërmarrjeve kryesore, ndërsa fitimet përqendrohen kryesisht tek energjia dhe tregtia.
Sfidat e demografisë dhe tregut të punës Tkurrja e popullsisë, e konfirmuar nga Censi me rreth 420 mijë persona më pak krahasuar me vitin 2011, ka ngushtuar ndjeshëm bazën e fuqisë punëtore në moshë pune. Për të përballuar këtë krizë, bizneset kanë rritur punësimin e qytetarëve të huaj, numri i të cilëve i është afruar 22 mijë vetave.
Ekspertët theksojnë se afrimi i mëtejshëm me tregun e Bashkimit Evropian kërkon një transformim urgjent të bazës prodhuese, duke e orientuar kapitalin drejt teknologjisë, inovacionit dhe sektorëve me vlerë të lartë të shtuar, për të shmangur varësinë nga aktivitete ciklike dhe me produktivitet të ulët.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






