

Tiranë, 7 nëntor 2026 – Ambasadori i ri i Izraelit në Shqipëri, Ohad Nakash Kaynar, ka nisur zyrtarisht detyrën diplomatike në Tiranë, pas dorëzimit të letrave kredenciale te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Në një mesazh të publikuar në platformën X, diplomati e cilësoi marrjen e detyrës si një moment të rëndësishëm dhe shprehu angazhimin për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Kaynar vlerësoi se të dy vendet, pavarësisht madhësisë së tyre, kanë shoqëri të larmishme dhe histori të pasura, çka krijon mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme strategjike.
Ndër sektorët ku synon të nxisë bashkëpunimin, ambasadori përmendi teknologjinë, industrinë, kërkimin shkencor dhe zhvillimin. Ai u shpreh se gjatë mandatit të tij do të punojë për të shfrytëzuar këto mundësi, duke garantuar transparencë dhe trajtim të drejtë në veprimtarinë e ambasadës.
Një vëmendje të veçantë në mesazhin e tij, Kaynar i kushtoi besimit mes dy popujve, të cilin e konsideroi thelbësor për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe krijimin e mundësive për investime e vende të reja pune.
“Besimi mes izraelitëve dhe shqiptarëve është thelbësor për krijimin e mundësive të biznesit, vendeve të punës dhe investimeve”, shkroi ai.
Ambasadori paralajmëroi se ky besim mund të dëmtohet nga teoritë konspirative dhe narrativat e rreme, duke deklaruar se ai dhe Ambasada e Izraelit do të angazhohen për t’i kundërshtuar ato.
“Është e lehtë të shkatërrohet ky besim përmes teorive konspirative dhe narrativave të rreme; megjithatë, unë dhe Ambasada do të përpiqemi t’i hedhim poshtë ato, duke siguruar që e vërteta dhe besimi të mbizotërojnë”, theksoi Kaynar.
Në përfundim të mesazhit, diplomati u shpreh i gatshëm për të nisur punën në funksion të forcimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






