Transmetuar më 07-11-2026, 20:53

Tiranë, 7 nëntor 2026 – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të studentëve dhe qytetarëve të shoqëruar në komisariatet e policisë pas protestës së sotme, ndërsa ka paralajmëruar se gjobat e vendosura ndaj demonstruesve do t’u kthehen me vlerë tre herë më të lartë.

Në një deklaratë për mediat, Berisha shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë dhe vlerësoi qëndresën e tyre gjatë përplasjeve me policinë.

Ai garantoi studentët dhe protestuesit se do të dëmshpërblehen për çdo gjobë të vendosur, duke paralajmëruar gjithashtu përgjegjësi për zyrtarët që do të firmosin aktet e ndëshkimit.

“Garantoj çdo student dhe qytetar se gjobat e narkoshtetit do t’u rikthehen atyre me vlerë tre herë më të lartë, por edhe gjobëvënësi që vë firmën e tij do të paguajë shumë shtrenjtë për atë firmë që vendos”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së paralajmëroi se zyrtarët që firmosin gjoba ndaj protestuesve mund të përballen edhe me ndjekje penale, duke pretenduar se masat ndaj tyre janë antikushtetuese.

Berisha akuzoi gjithashtu policinë se ka provokuar në mënyrë të përsëritur demonstruesit dhe studentët, duke e cilësuar ndërhyrjen e forcave të rendit si pjesë të një skenari kundër protestës.

Deklaratat e tij vijnë pas protestës së zhvilluar në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, përdorim të ujit me presion dhe gazit lotsjellës, si dhe shoqërime të disa protestuesve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit