Transmetuar më 07-11-2026, 20:41

Tiranë, 7 nëntor 2026 – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se forca politike që drejton do të mbështesë plotësisht protestën studentore, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë faktorëve opozitarë të bashkohen në një lëvizje kundër kryeministrit Edi Rama.

Në një konferencë për shtyp pas protestës së zhvilluar gjatë ditës në Tiranë, Berisha akuzoi policinë se kishte provokuar protestuesit dhe studentët, duke e cilësuar ndërhyrjen e saj si pjesë të një “skenari kriminal” ndaj revoltës studentore.

Ai u bëri thirrje të gjitha forcave opozitare të lënë mënjanë kundërshtitë dhe dallimet politike për t’iu bashkuar protestës.

“Ju garantoj se Partia Demokratike është vendosur t’i mbështesë totalisht studentët, revoltën e tyre dhe të respektojë të gjithë ata që janë në këtë linjë”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së e cilësoi protestën si një betejë kundër qeverisë së Edi Ramës dhe kërkoi angazhimin e qytetarëve në këtë lëvizje.

“Bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë duhet të jetë kurora e kësaj lëvizjeje të madhe e të paparë që po zhvillohet në Shqipëri”, u shpreh ai, duke shtuar se synimi duhet të jetë largimi i qeverisë aktuale dhe përgatitja e një kuadri ligjor që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Deklaratat e Berishës vijnë pas protestës së sotme, ku mes thirrjeve të demonstruesve u dëgjuan edhe parulla kundër të dy drejtuesve politikë, “Rama në burg, Berisha në burg”, duke reflektuar pakënaqësinë e një pjese të protestuesve ndaj klasës politike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit