Transmetuar më 07-11-2026, 19:34

Krakovë, 7 nëntor 2026 – Ka shkuar në gjashtë numri i personave që kanë humbur jetën nga sulmi me armë zjarri në Sheshin Kryesor të Tregut në Krakovë të Polonisë. Nga ngjarja kanë mbetur të plagosur edhe 15 persona, mes tyre dy efektivë policie.

Sipas informacioneve të publikuara nga autoritetet polake, autori i dyshuar është një 24-vjeçar me shtetësi polake, i cili dyshohet se ka hyrë me automjet në zonën historike të qytetit dhe ka qëlluar me armë ndaj qytetarëve që ndodheshin në shesh.

Të shtënat nisën rreth orës 15:00, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe turistëve. Dëshmitarët kanë përshkruar momente kaotike, ndërsa njerëzit janë larguar me vrap për t’u strehuar në rrugicat dhe ambientet përreth.

Fillimisht u raportuan pesë viktima, por më vonë autoritetet e rajonit Małopolska konfirmuan se bilanci kishte arritur në gjashtë të vdekur, katër gra dhe dy burra.

Nga 15 të plagosurit, dy janë efektivë policie. Njëri prej tyre raportohet në gjendje të rëndë, ndërsa edhe disa prej personave të tjerë të lënduar ndodhen në gjendje kritike.

Autori shkëmbeu zjarr me policinë

Forcat e policisë ndërhynë për neutralizimin e sulmuesit, i cili shkëmbeu zjarr me efektivët në një zonë pranë vendit ku kishte nisur sulmi. Gjatë përplasjes, 24-vjeçari u plagos nga policia, më pas u arrestua dhe u transportua në spital.

Zëdhënësja e policisë së Krakovës, Katarzyna Cisło, bëri të ditur se i dyshuari mbante veshje të stilit ushtarak dhe jelek antiplumb. Ai dyshohet se përdori një armë të gjatë të tipit ushtarak, ndërsa gjatë kontrollit të automjetit u gjetën edhe armë dhe municione të tjera.

Autoritetet kanë sqaruar se sulmuesi veproi i vetëm, duke përjashtuar dyshimet fillestare për përfshirjen e një personi të dytë.

Në vendngjarje u angazhuan dhjetëra efektivë policie, ambulanca dhe ekipe të specializuara të emergjencës. Për transportimin e të plagosurve u përdor edhe një helikopter mjekësor.

Reagime në nivelin më të lartë shtetëror

Ngjarja ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga drejtuesit më të lartë të shtetit polak. Kryeministri Donald Tusk deklaroi se po ndiqte nga afër zhvillimet dhe më pas u nis drejt Krakovës.

Presidenti Karol Nawrocki shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave, ndërsa ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, vlerësoi ndërhyrjen e policisë, duke theksuar se efektivët rrezikuan jetën për të ndaluar sulmuesin.

Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë. Hetuesit po analizojnë provat e sekuestruara dhe po punojnë për të zbardhur arsyet që e shtynë 24-vjeçarin të hapte zjarr ndaj qytetarëve.

Sulmi ka tronditur opinionin publik në Poloni, ku ngjarje të tilla me armë zjarri janë relativisht të rralla, veçanërisht në një qytet turistik si Krakova, që çdo vit vizitohet nga miliona njerëz.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit