Transmetuar më 07-11-2026, 18:02

Hamburg, 7 nëntor 2026 – Policia gjermane ka zhvilluar një operacion të gjerë kundër krimit të organizuar të armatosur, gjatë të cilit ka arrestuar një figurë të rëndësishme të grupit motorist “Hells Angels”. Aksioni vjen pas disa muajsh tensionesh dhe përplasjesh me armë zjarri mes grupeve rivale në Hamburg.

Sipas mediave gjermane, personi i arrestuar është identifikuar si Dariusch “Dari” F. Ai ndodhej në pjesën e pasme të një automjeti luksoz Mercedes-Maybach, kur forcat e policisë ndërhynë të premten në mbrëmje dhe ndaluan tre automjete luksoze në qendër të qytetit, gjatë një shkëmbimi të dyshuar parash.

Gjatë kontrolleve, efektivët gjetën një armë zjarri të mbushur me fishekë dhe 23 mijë euro. Në këtë fazë të operacionit u ndaluan pesë persona.

Dariusch F. përdor një karrige me rrota, pasi i mbijetoi një atentati me armë zjarri në vitin 2018, gjatë përplasjeve mes grupeve “Hells Angels” dhe “Mongols”.

Operacioni u shtri edhe në zonën HafenCity, ku policia arrestoi dy persona të tjerë, të cilët sipas raportimeve mediatike kanë lidhje me “Hells Angels”. Gjatë ndërhyrjes në këtë zonë u sekuestrua edhe një armë tjetër zjarri e mbushur me fishekë.

Aksioni shënon operacionin e parë të madh të njësisë speciale Soko Kinesis, e krijuar për të luftuar valën e fundit të dhunës me armë zjarri në Hamburg. Mes ngjarjeve që kanë nxitur intensifikimin e veprimeve policore është edhe një vrasje e dyfishtë e regjistruar në shtator, në zonën e St. Pauli.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit