

Në Prishtinë promovohet monografia për István Schütz, albanologun hungarez që ia kushtoi jetën gjuhës dhe kulturës shqiptare
Një nga momentet më prekëse të aktivitetit, fjala e Gergely Schütz-it, djalit të albanologut, i cili ndau kujtime nga jeta e të atit, dhoma e tij e punës në Budapest, librat, dorëshkrimet dhe pasioni i pandërprerë për gjuhën shqipe. Udhëtimet në Prishtinë dhe takimet me studiuesit shqiptarë përbënin një pjesë të rëndësishme të jetës së babait të tij
Prishtinë – Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, u promovua të enjten monografia “István Schütz: Miku hungarez i shqiptarëve”, e autores Mimoza Hasani Pllana. Botimi i kushtohet jetës dhe veprës së albanologut, gjuhëtarit dhe përkthyesit hungarez, i cili për dekada kontribuoi në studimin, përhapjen dhe afirmimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Veprimtaria kulturore, e organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë, mblodhi studiues, akademikë, diplomatë dhe përfaqësues të botës së librit, duke rikthyer në vëmendje trashëgiminë shkencore dhe njerëzore të István Schütz-it (1923–2010), si dhe lidhjen e tij të veçantë me shqiptarët e Kosovës.
Në promovim, krahas autores, folën akademik Bardh Rugova, redaktor i monografisë, historiani dhe albanologu hungarez prof. dr. Krisztián Csaplár-Degovics dhe Gergely Schütz, djali i studiuesit. Të pranishëm ishin gjithashtu ambasadori i Hungarisë në Kosovë, László István Dux, akademik Rexhep Ismajli dhe botuesi Bujar Hudhri, ndërsa aktiviteti u moderua nga Arbër Selmani.

Në fjalën përshëndetëse, ambasadori hungarez vlerësoi kontributin e Schütz-it në studimet albanologjike dhe angazhimin e tij në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’80 dhe ’90. Ai kujtoi lidhjet e vazhdueshme të studiuesit me intelektualët kosovarë dhe ndihmën e tij për qarkullimin e librave në gjuhën shqipe në rrethana të vështira politike.
Ambasadori Dux shprehu gjithashtu shpresën për botimin e afërt të fjalorit shqip-hungarisht të Schütz-it, ndërsa bëri të ditur se Ambasada e Hungarisë po bashkëpunon me Komunën e Prishtinës për mundësinë e emërtimit të një rruge ose sheshi me emrin e albanologut.

Autorja Mimoza Hasani Pllana, duke folur për rrugëtimin e saj hulumtues, e lidhi interesimin për figurën e Schütz-it me përvojën personale në Budapest dhe me afërsinë që kishte krijuar me kulturën hungareze. Ajo theksoi se monografia synon të shërbejë si burim studimor për gjuhëtarët, historianët, studiuesit e letërsisë dhe përkthimit, si dhe për ata që merren me marrëdhëniet kulturore e diplomatike ndërmjet dy popujve.

Libri, i botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, trajton në mënyrë të gjithanshme veprimtarinë shkencore, letrare, përkthimore, mediatike dhe diplomatike të Schütz-it. Një vend të rëndësishëm zënë dokumentet arkivore, fotografitë dhe dëshmitë e rralla, të siguruara edhe falë bashkëpunimit me familjen e albanologut.

Akademik Bardh Rugova, i cili e kishte njohur personalisht Schütz-in përmes Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, vlerësoi punën e autores dhe rëndësinë e dokumentimit të kësaj figure. Duke e cilësuar botimin si një akt të vonuar mirënjohjeje, ai u shpreh: “Ky libër e paguan një borxh.”
Sipas Rugovës, monografia e rikthen Schütz-in në kujtesën kulturore shqiptare jo vetëm si studiues të shquar, por edhe si një personalitet që kishte ndërtuar lidhje të thella njerëzore me shqiptarët.

Historiani dhe albanologu Krisztián Csaplár-Degovics u ndal te karakteri shkencor i veprës, përdorimi i burimeve arkivore dhe intervistave, si dhe vendosja e kontributit të Schütz-it në kontekstin e traditës së albanologjisë hungareze. Ai vlerësoi veçanërisht trajtimin e trashëgimisë leksikografike dhe të marrëdhënieve të albanologut me Universitetin e Prishtinës.
Akademik Rexhep Ismajli solli kujtime nga bashkëpunimi shumëvjeçar me Schütz-in dhe pjesëmarrjet e tij në Seminarin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke theksuar përkushtimin e studiuesit hungarez ndaj gjuhës shqipe dhe komunitetit akademik shqiptar.
Ndërsa botuesi Bujar Hudhri e cilësoi monografinë si një shprehje të merituar mirënjohjeje ndaj një figure që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në njohjen e kulturës shqiptare.

Një nga momentet më prekëse të aktivitetit ishte fjala e Gergely Schütz-it, djalit të albanologut, i cili ndau kujtime nga jeta e të atit, dhoma e tij e punës në Budapest, librat, dorëshkrimet dhe pasioni i pandërprerë për gjuhën shqipe. Ai vuri në dukje faktin se udhëtimet në Prishtinë dhe takimet me studiuesit shqiptarë përbënin një pjesë të rëndësishme të jetës së babait të tij.
Gergely Schütz falënderoi autoren për përkushtimin në ruajtjen e kujtimit të të atit, duke e vlerësuar monografinë si një mundësi që trashëgimia e tij shkencore dhe njerëzore t’u përcillet brezave të ardhshëm.

István Schütz ishte ndër përfaqësuesit e rëndësishëm të albanologjisë hungareze të shekullit XX. Përmes studimeve gjuhësore, hartimit të fjalorëve, mësimdhënies dhe përkthimeve të autorëve shqiptarë në gjuhën hungareze, ai kontribuoi në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet shqiptarëve dhe hungarezëve.

Promovimi i monografisë “István Schütz: Miku hungarez i shqiptarëve” shënon jo vetëm një kontribut në dokumentimin e historisë së albanologjisë, por edhe një akt kujtese dhe mirënjohjeje ndaj një studiuesi që e ktheu dashurinë për gjuhën shqipe në një përkushtim të përjetshëm. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






