Transmetuar më 07-11-2026, 16:49

Tiranë, 7 nëntor 2026 – Tensione dhe përplasje fizike janë regjistruar para Ministrisë së Arsimit, ku mbështetës të Partisë Demokratike kanë tentuar t’i bashkohen protestës së studentëve, por janë kundërshtuar nga një pjesë e pjesëmarrësve në tubim.

Studentët dhe protestuesit e tjerë u kanë kërkuar demokratëve të largohen, duke brohoritur “Largohuni!”. Situata është përshkallëzuar në përplasje mes dy grupeve, ndërsa kundërshtimi ndaj përfshirjes së përfaqësuesve politikë të PD-së ka vijuar gjatë protestës.

Në mes të turmës është krijuar edhe një korridor ndarës, ku janë vendosur pankarta me mbishkrimin “Rama në burg, Berisha në burg”.

Përplasja është shoqëruar me thirrje të ndryshme nga të dyja palët. Një grup protestuesish ka brohoritur “Arresto Berishën” dhe “Poshtë sekretarët e Partisë Komuniste”, ndërsa mbështetësit e PD-së janë përgjigjur me parullën “Poshtë patronazhistët!”.

Në një moment, një prej protestuesve që kundërshtonte praninë e demokratëve është larguar nga grupi, duke shprehur pakënaqësinë ndaj klasës së vjetër politike. Ai deklaroi se kishte votuar për Partinë Demokratike deri në vitin 2025, por tashmë nuk mbështeste asnjë forcë politike.

“E prishët një herë në vitin 1990, doni ta bëni përsëri? Doni ta bëni prapë, por ju ka mbaruar koha! Mbështes studentët, mbështes popullin kundër klasës së vjetër politike. Unë jam një nga ata që kam votuar për PD-në, por tani mjaft më!”, u shpreh ai.

Protestuesi akuzoi gjithashtu kreun e PD-së, Sali Berisha, se nuk kishte mbajtur premtimet për hapjen e partisë dhe dorëheqjen në rast se nuk fitonte zgjedhjet.

“E kam kuptuar të gjithë lojën 36-vjeçare. E ka bërë njëherë në vitin 1990, do ta bëjë përsëri, por nuk do t’ia arrijë dot”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, një prej mbështetësve të PD-së i është kundërpërgjigjur, duke theksuar se qëllimi i tyre ishte rrëzimi i kryeministrit Edi Rama. Ai pretendoi se disa prej studentëve dhe protestuesve ishin të mashtruar dhe nuk e kuptonin situatën politike.

Përplasjet para Ministrisë së Arsimit tregojnë ndasitë mes protestuesve, ku një pjesë kërkon të mbajë tubimin larg ndikimit të partive politike, ndërsa mbështetësit e opozitës synojnë të bashkohen në protestën kundër qeverisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit