Transmetuar më 07-11-2026, 16:03

Tiranë, 7 nëntor 2026 – Një shtetas shqiptar i dënuar për përfshirje në një rrjet të kultivimit të kanabisit në Britaninë e Madhe do të deportohet në Shqipëri, pasi gjykata rrëzoi pretendimin e tij se kishte qenë viktimë e trafikimit dhe ishte detyruar të punonte në fermat e drogës.

Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Igli Hazizaj, i cili kishte deklaruar se jeta e tij në Shqipëri ishte në rrezik për shkak të një borxhi që familja e tij i kishte një grupi të krimit të organizuar. Sipas versionit të tij, pas mbërritjes në Britani ishte mbajtur kundër vullnetit të tij dhe ishte shfrytëzuar në ambiente ku kultivohej kanabis.

Megjithatë, pretendimet e tij u vunë në dyshim pas publikimit të disa fotografive nga ish-partnerja. Në to, Hazizaj shfaqej duke i propozuar martesë në Mançester, në një festë beqarie në Uells, si dhe në ceremoninë e diplomimit të saj në Swansea.

Këto pamje, së bashku me të dhëna të tjera të administruara në proces, u përdorën për të kundërshtuar historinë e paraqitur nga 28-vjeçari.

Gjykata e Drejtësisë Civile në Mançester vendosi se rrëfimi i tij ishte i sajuar dhe rrëzoi apelin kundër deportimit. Gjykatësi Chris Cole arriti në përfundimin se Hazizaj nuk kishte arritur të provonte se ishte trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar apo se ishte detyruar të punonte në fermat e kanabisit.

I dënuar për organizimin e fermave të kanabisit

Në shkurt të vitit 2025, Hazizaj u dënua me dy vite burg për komplot për prodhimin e kanabisit. Gjatë procesit në Gjykatën e Kurorës në Carlisle u bë e ditur se ai kishte pasur rol kryesor në organizimin e një aktiviteti kriminal, ku tre banesa në qytet ishin përshtatur për kultivimin e drogës.

Sipas të dhënave të paraqitura në gjykatë, aktiviteti kishte potencialin të gjeneronte fitime që tejkalonin 2 milionë paund në vit.

Në dhjetor të vitit të kaluar ishte marrë vendimi për deportimin e tij në Shqipëri. Por Hazizaj e kundërshtoi këtë masë, duke pretenduar se ishte viktimë e trafikimit dhe se kthimi në vendlindje do ta ekspozonte ndaj rrezikut serioz.

Ministria e Brendshme britanike i hodhi poshtë pretendimet, duke paraqitur si prova mospërputhjet në deklarimet e tij. Mes tyre ishin edhe të dhënat e udhëtimeve ajrore, të cilat tregonin se ai kishte udhëtuar disa herë drejt dhe nga Shqipëria në periudha kur pretendonte se mbahej i izoluar.

U kap me pasaportë greke të falsifikuar

Në dosjen gjyqësore u përmend edhe një tjetër dënim ndaj Hazizajt. Ai ishte dënuar me nëntë muaj burg pasi ishte kapur në aeroportin e Tiranës duke tentuar të udhëtonte drejt Barcelonës me një pasaportë greke të falsifikuar.

Në vendimin e tij, gjykatësi Chris Cole theksoi se historia e udhëtimeve, përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dhe mënyra e jetesës në Britani nuk mbështesnin pretendimin se ai kishte qenë viktimë e trafikimit.

Hazizaj nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore të zhvilluar më 28 tetor. Gjykata u informua se përpjekjet për ta lokalizuar përmes ish-partneres dhe studios ligjore që e kishte përfaqësuar më parë nuk kishin rezultuar të suksesshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit