Transmetuar më 07-11-2026, 12:33

TIRANË — Gjendja shëndetësore e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet i ndaluar në ambientet spitalore të burgut të Fierit për shkak të një frakture në këmbë, ka pësuar një përkeqësim të ndjeshëm. Pas javësh lëvizjeje me paterica dhe përdorimit të qetësuesve për dhimbjet ndërsa mban çizmen ortopedike, mjekët i kanë rekomanduar atij një ndërhyrje tjetër kirurgjikale.

Zhvillimi vjen pas një ekzaminimi të kryer në Spitalin Memorial të Fierit, ku u konstatua se dëmtimi është rënduar. Dyshimet kryesore për këtë përkeqësim lidhen me vonesat e pajustifikuara dhe moslejimin e herëpashershëm të Veliajt për t’u ekzaminuar në kohën e duhur dhe në spitalin e kërkuar prej tij.

Sipas njoftimit zyrtar dhe shqetësimeve të ngritura përmes një emaili që avokati Plarent Ndreca i ka dërguar Burgut të Fierit më 6 nëntor, situata ka qenë kritike prej mungesës së vëmendjes mjekësore në kohë. Gjatë vizitës së zhvilluar në Spitalin e Burgut, mjeku Flamur Kadriu konfirmoi se ndërhyrja urgjente dhe ekzaminimi radiografik duheshin kryer shumë ditë më parë, duke evidentuar problematika të theksuara në ndjeshmërinë e gjymtyrës.

Në komunikimin zyrtar drejtuar autoriteteve penitenciare, mbrojtja ligjore ka kërkuar marrjen e menjëhershme të masave që grafia dhe vlerësimi i specializuar të realizohen pa vonesa shtesë. Aty theksohet qartë se çdo zvarritje e mëtejshme do të ngrejë përgjegjësi personale, civile dhe penale për autoritetet përgjegjëse, ndërsa po kërkohet verifikimi i lidhjes shkakësore mes mosveprimeve të deritanishme dhe përkeqësimit të shëndetit të kryebashkiakut.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit