Transmetuar më 07-11-2026, 11:21

TIRANË — Vendosja e një sistemi të kontrolluar për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme, nga momenti i krijimit deri te trajtimi përfundimtar, është synimi kryesor i projektvendimit të ri të publikuar për konsultim publik.

Nisma e propozuar nga Ministria e Mjedisit përcakton rregulla të unifikuara për ambalazhimin, etiketimin, transportin dhe magazinimin, si dhe introduktimin e gjurmueshmërisë elektronike me qëllim parandalimin e keqmenaxhimit dhe uljen e rreziqeve për shëndetin publik e mjedisin.

Gjurmueshmëria elektronike dhe standardet e reja

Projektvendimi “Për ambalazhimin, etiketimin, transportin, gjurmueshmërinë, magazinimin e përkohshëm dhe dokumentin e dorëzimit të mbetjeve të rrezikshme” vendos detyrime direkte për krijuesit, zotëruesit, grumbulluesit, transportuesit dhe marrësit në dorëzim.

Një nga risitë kryesore është vendosja e gjurmueshmërisë elektronike përmes Sistemit të Integruar Mjedisor (SIM), ku çdo dokument dorëzimi do të pajiset me një identifikues unik elektronik. Dokumenti parashikon gjithashtu etiketa dygjuhëshe (“Mbetje të rrezikshme/ Hazardous Waste”), analiza nga laboratorë të akredituar dhe kushte të rrepta teknike për magazinimin e përkohshëm me qëllim parandalimin e rrjedhjeve apo zjarreve.

Ky projektvendim është hartuar në zbatim të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe përafron legjislacionin vendor me Direktivën e Bashkimit Evropian në kuadër të Kapitullit 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”. Me hyrjen e tij në fuqi do të shfuqizohet kuadri ekzistues i vitit 2014, ndërsa subjekteve do t’u lihet një periudhë tranzitore prej gjashtë muajsh për përshtatjen me kërkesat e reja teknike dhe digjitale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit