

BULQIZË — Rrethanat e vdekjes së 62-vjeçarit Urim Fiku, ngjarje e ndodhur më 3 nëntor në fshatin Godvi të Bulqizës, vijojnë të zbardhen nga grupi hetimor, ndërsa prova të reja kanë rrëzuar dëshmitë e bashkëshortes dhe djalit të viktimës.
Nënë e bir, Sadete dhe Gazmir Fiku, u dolën përpara Gjyskatës së Dibrës ku mohuan autorësinë e krimit, duke pretenduar fillimisht se 62-vjeçari u sulmua nga një kafshë e egër (ari) dhe më pas se ai kishte qëlluar veten me pistoletë në oborrin e banesës në kushte të tronditjes psikologjike. Gjykata e vlerësoi të pabesueshëm këtë version dhe vendosi masën e sigurisë "arrest në burg" për të dy të dyshuarit.
Gjatë këqyrjeve të mëtejshme të terrenit nga hetuesit, në një distancë 500 deri në 600 metra larg shtëpisë u gjetën edhe disa gëzhoja të tjera pistolete tip TT. Këto prova kanë orientuar hetimet drejt pistës se 62-vjeçari është ndjekur nga larg duke u qëlluar disa herë, derisa marrja e goditjes fatale ka ndodhur pranë oborrit të shtëpisë.
Gëzhojat e gjetura së fundmi i janë nënshtruar ekspertizës balistike pranë Policisë Shkencore në Tiranë. Ndërkohë, djali i viktimës, Gazmir Fiku, ka pretenduar se gjatë orëve të ngjarjes ndodhej në zyrën e tij në OSHEE në Bulqizë, pretendim i cili po verifikohet nga hetuesit me pamjet filmike dhe provat e administruara në vendngjarje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






