Transmetuar më 07-11-2026, 09:38

BULQIZË — Hetimet për vrasjen e Urim Fikut në fshatin Godvi të Bulqizës kanë marrë një tjetër rrjedhë pas zbulimit të provave të reja në vendngjarje, duke ngritur dyshime të forta për praninë e një personi të tretë në këtë ngjarje kriminale.

Gjatë krehjes së terrenit nga policia e Bulqizës dhe Policia Kriminale e Dibrës, në një distancë prej rreth 500 metrash larg banesës së familjes Fiku, janë gjetur edhe 4 gëzhoja të tjera pistolete. Gëzhojat e sekuestruara dyshohet se janë shkrepur nga e njëjta armë zjarri e gjetur më parë dhe i janë nënshtruar ekspertizës krahasuese balistike.

Nga këqyrja e terrenit dyshohet se viktima është ndjekur me vrap nga autori, i cili ka qëlluar me intensitet derisa Urim Fiku është prekur nga një plumb pas shpine dhe është rrëzuar, për t’u goditur më pas me sëpatë në kokë. Hetuesit po presin përgjigjen e mjekësisë ligjore për të përcaktuar shkakton e saktë të vdekjes, ndërsa po punohet për identifikimin e një personi të tretë të dyshuar se banon në zonë.

Gjatë marrjes në pyetje, bashkëshortja e viktimës, Sadete Fiku, ka ndryshuar dëshminë e saj duke pretenduar se i shoqi ka kryer vetëvrasje, version ky që është hedhur poshtë nga hetuesit pasi plumbi tejshkues ka hyrë nga pjesa e shpinës.

Nga ana tjetër, djali i viktimës, Gazmir Fiku, i cili mban detyrën e përgjegjësit të OSHEE-së në Bulqizë, ka mohuar autorësinë e krimit. Ai ka pretenduar se në kohën e ngjarjes ka qenë në punë dhe ka kërkuar verifikimin e kamerave të sigurisë së lokalit përballë komisariatit dhe zyrave të OSHEE-së. Megjithatë, grupi hetimor ka ngritur supozime mbi fshirjen e pamjeve të sistemit DVR të shtëpisë, rrobat e prera të gjetura në banesë, si dhe praninë e njollave të gjakut në sëpatën e sekuestruar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit