

SHKODËR — Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Polinomi 2”, duke goditur një rrjet të dyshuar të tregtimit të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje, në vijim të aksionit të mëparshëm “Polinomi”.
Në kuadër të këtij operacioni, pas një hetimi katërmujor me metoda proaktive, u arrestuan dy vëllezërit Gjovalin Sheja, 49 vjeç, dhe Kujtim Sheja, 57 vjeç. Ndërkohë, është shpallur në kërkim djali i 57-vjeçarit, Kristjan Sheja, 24 vjeç.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e të dyshuarve në fshatrat Abat dhe Grudë e Re, shërbimet e Policisë sekuestruan në total rreth 77 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Në banesën e Gjovalin Shejës u gjetën 10 kilogramë kanabis, ndërsa në banesën e Kujtim Shejës u sekuestruan rreth 66.8 kilogramë të tjera të ndara në thasë.
Përveç lëndës narkotike, në shtëpinë e 57-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan edhe një pistoletë me krehër e fishekë, një pushkë pneumatike, municion luftarak për armë zjarri dhe armë gjahu, aksesorë armësh, një shkop metalik, dy radio marrëse-dhënëse, një peshore elektronike si dhe tre pajisje optike. Hetimet po vijojnë për kapjen e 24-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






