

BERGAMO — Një 32-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar nga karabinierët në Itali, i dyshuar si i përfshirë në dy vjedhje banesash të kryera në zonën e Bergamos.
Operacioni nisi pasi forcat e rendit identifikuan një automjet të dyshimtë në Albano Sant’Alessandro dhe e ndoqën deri në Torre de’ Roveri, ku drejtuesi i mjetit mori dy persona që vinin nga zonat bujqësore.
Me mbërritjen e patrullave të përforcimit, tre personat braktisën automjetin dhe u larguan me vrap përmes fushave.
Gjatë ndjekjes, dy prej të dyshuarve arritën të largoheshin, ndërsa 32-vjeçari shqiptar u kap pas një përleshjeje me efektivët, ku mbeti i plagosur lehtë një prej karabinierëve.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi mbi 1.000 euro para të gatshme, disa bizhuteri ari, sende me vlerë, si dhe mjete të përdorura për hapjen e dyerve, përfshirë kaçavida, pincë prerëse, fleksibël dhe radio marrëse-dhënëse.
Gjyqtari i hetimeve paraprake në Bergamo vendosi caktimin e masës së sigurisë "arrest në shtëpi" me byzylyk elektronik për 32-vjeçarin, ndërsa vijojnë kërkimet për identifikimin e dy bashkëpunëtorëve të tjerë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






