

Shkodër – Dy vëllezër kanë përfunduar në prangat e Policisë së Shkodrës, ndërsa djali i njërit prej tyre është shpallur në kërkim, në kuadër të një operacioni kundër trafikut të drogës dhe armëmbajtjes pa leje.
Operacioni i koduar “Polinomi 2”, i finalizuar pas katër muajsh hetimesh me metoda proaktive, ka çuar në sekuestrimin e rreth 77 kilogramëve lëndë të dyshuar narkotike kanabis, një pistolete, një pushke pneumatike, municionesh dhe sendeve të tjera që dyshohet se përdoreshin për veprimtari kriminale.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga janë vënë shtetasit Gj. Sh., 49 vjeç, banues në fshatin Abat, dhe K. Sh., 57 vjeç, banues në Grudë të Re, të cilët janë vëllezër.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim djali 24-vjeçar i 57-vjeçarit, shtetasi me iniciale K. Sh., gjithashtu banues në Grudë të Re.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e 49-vjeçarit, efektivët gjetën dhe sekuestruan 10 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Në vijim të operacionit, policia kontrolloi edhe banesën e 57-vjeçarit, ku zbuloi rreth 66.8 kilogramë kanabis të ndarë në thasë, një pistoletë me krehër dhe fishekë, një pushkë pneumatike, municion për armë zjarri dhe armë gjahu, si dhe aksesorë armësh.
Gjithashtu, në këtë banesë u sekuestruan një shkop metalik, dy radio marrëse-dhënëse, një peshore elektronike dhe tri pajisje optike, përkatësisht dy kamera dhe një monokular.
Sipas policisë, tre personat dyshohen si pjesëtarë të grupit kriminal të goditur disa ditë më parë gjatë operacionit të parë të koduar “Polinomi”.
Hetimet janë zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 24-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarive të dyshuara kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






