Transmetuar më 07-11-2026, 07:38

Industria e përpunimit të mishit në Shqipëri po përballet me një goditje të re në zinxhirin e furnizimit me lëndë të parë. Pas bllokimit të importeve të mishit të gjedhit dhe të pulës nga Brazili, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka paralajmëruar rishikimin e marrëdhënieve tregtare me këtë shtet edhe për importin e mishit të derrit.

Njoftimi u bë publik nga ministri Andis Salla gjatë raportimit në komisionin parlamentar, ku sqaroi se vendimi vjen si pasojë e përafrimit të legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian dhe rregullores së re zbatuese (BE) 2026/1189, e cila kufizon përdorimin e produkteve antimikrobike veterinare. Prej 3 shtatorit 2026, zbatimi i këtyre rregullave ka ndaluar hyrjen e mishit të viçit dhe të shpendëve nga Brazili, pasi ky i fundit është hequr nga lista e vendeve të autorizuara nga BE-ja.

Brazili ka qenë furnizuesi kryesor i tregut vendas për shkak të çmimeve konkurruese. Sipas të dhënave të INSTAT për periudhën janar-gusht 2026, Shqipëria importoi 32,4 mijë tonë mish dhe nënprodukte, ku 34% e sasisë vinte nga Brazili, e ndjekur nga SHBA-ja me 19% dhe Greqia me 17%.

Ndalimi i hyrjes së kësaj lënde të parë ka kthyer presionin e lartë mbi kompanitë përpunuese. Përfaqësuesi i industrisë, Drini Zusi, bëri me dije se blerja e lëndës së parë nga tregjet europiane apo vende të tjera alternative si Kanadaja, SHBA-ja apo Paraguai, kushton nga 12% deri në 40% më shtrenjtë. Për rrjedhojë, kostot e prodhimit parashikohet të rriten me 20-25%.

Industrialistët sqarojnë se kompanitë kanë shfrytëzuar rezervat dymujore gjatë shtatorit dhe tetorit, por duke nisur nga muaji nëntor dhe veçanërisht në dhjetor, rritja e kostove do të reflektohet te konsumatori final. Çmimi i mishit të freskët të viçit në tregun e pakicës pritet të rritet me 300-400 lekë për kilogram, duke arritur në 1,600-1,700 lekë/kg, ndërsa filetoja e pulës me shumicë parashikohet të shkojë deri në 450 lekë/kg nga 320-330 lekë që është aktualisht.

Për të zbutur këtë goditje, industria e përpunimit i kërkon qeverisë heqjen e tarifës doganore 10% për importet e mishit që vijnë nga vendet e BE-së si masë emergjente, si dhe akselerimin e procedurave shtetërore për plotësimin e standardeve të kontrollit veterinar, me qëllim hapjen e rrugës për eksportin e produkteve shqiptare drejt tregut europian. Kjo kërkesë për heqjen e taksës përballet me kundërshtinë e ekspertëve të blegtorisë, të cilët argumentojnë se heqja e tarifës do të dëmtonte më tej blegtorinë vendase, e cila po vuan rënien e vazhdueshme të krerëve të kafshëve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit