

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, gjatë intervistës në emisionin “On The Road” në Top News, ka trajtuar sërish rrethanat e shpalljes së tij "non grata" nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e ish-ambasadorit amerikan Donald Lu në këtë vendimmarrje.
Llalla u shpreh se përplasjet institucionale dhe debatet lidhur me Reformën në Drejtësi mund të kenë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në këtë masë, ndërsa theksoi se pas përfundimit të mandatit të tij nisën hetime për disa akuza që përfunduan vetëm me procedimin për mosdeklarim pasurie.
"Krahas përplasjeve me ambasadorin, debateve kryesisht lidhur me Reformën në Drejtësi, çdo gjë mund të ketë ndikuar. Pra, që të dënohet apo shpallet non grata një zyrtar, duhet të provohet paraprakisht se çfarë baze ka kjo. I jam drejtuar Departamentit të Shtetit, përgjigjja erdhi, vendimi është marrë mbi bazën e opinioneve që ka."
I pyetur mbi mundësinë e një ballafaqimi hipotetik me diplomatin amerikan, ish-kryeprokurori përjashtoi hyrjen në bisedime të mëtejshme:
"Nuk do të preferoja të isha më pjesë e debatit me atë zyrtar. Unë pata provuar çfarë është mendimi ndryshe me të dhe nuk dua më të jem pjesë e debatit."
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






