Transmetuar më 06-11-2026, 22:49

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka dhënë një intervistë për gazetaren Anisa Bahiti në emisionin “On the Road” në Top News, ku ka analizuar procesin e tij gjyqësor, marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe zhvillimet në sistemin e drejtësisë.

Lidhur me vendimin e Gjykatës së Romës për refuzimin e ekstradimit drejt Shqipërisë, Llalla deklaroi:

"Autoritetet italiane, gjykatat italiane më njohën të drejtën për mosekstradimin tim në Shqipëri. Duke parë që vendimi ishte jobindës, pra duke dhënë një dënim të rëndë për një vepër të tillë penale, autoritetet, duke vlerësuar edhe gjendjen time relativisht të rëndë shëndetësore, vendosën mosekstradimin tim në Shqipëri. Sa i përket babait, sikur na ka ndjekur i njëjti fat."

Për procesin penal të zhvilluar ndaj tij në Shqipëri dhe pretendimet për traktament të diferencuar, ai u shpreh:

"Nëse do të bëhej një hetim dhe gjykim i paanshëm, rasti im nuk do të kishte përfunduar në të tilla rrethana. Në asnjë rast tjetër të zyrtarëve të lartë apo të çdo zyrtari të hetuar apo ndëshkuar për një çështje të tillë nuk është dhënë dënim me burgim. Gjithmonë janë dhënë dënime të tjera alternative, si gjobë, dënime me kusht apo dënime të tjera alternative më të buta. Kjo më krijon bindjen edhe më të madhe se rasti im është një rast i veçantë, i trajtuar në mënyrë paragjykuese."

I pyetur mbi nismën ligjore për ashpërsimin e dënimit për mosdeklarimin e pasurisë—vepër për të cilën u dënua më vonë me dy vite burg—Llalla konfirmoi autorësinë e propozimit:

"Është e vërtetë, iniciativa ligjore për ndryshimin e ligjit për mosdeklarimin e pasurive është kërkuar prej meje. Në fakt, kërkova ashpërsimin e masës nga gjobë deri në tre vjet burgim. Mora shkas sepse shumë zyrtarë i shmangeshin deklarimit të pasurive. Ashpërsimi i dënimit i detyroi të ishin më të përgjegjshëm përpara institucionit të deklarimeve dhe kontrollit të pasurive. Realisht, unë isha vetë iniciatori, vetë unë që u ndëshkova. E respektoj vendimin e gjykatës, pavarësisht mendimeve të mia."

Sa i përket Reformës në Drejtësi dhe funksionimit aktual të sistemit, ish-kryeprokurori theksoi:

"Mendimi ndryshe, realisht, në Shqipëri nuk vlerësohet, por shihesh si kundërshtar i të gjithëve. Të gjithë duhet të kthehen dhe të bëhen pjesë e diskutimit se si mund të përmirësohet dhe jo të dëmtohet puna e institucionit. Mënyra se si sot është organizuar dhe funksionon sistemi i drejtësisë, sidomos prokuroria e zakonshme, tregon se kjo mënyrë organizimi dhe decentralizimi i institucionit nuk ka sjellë përmirësim, por ka sjellë mosfunksionim normal të punës së institucionit."

Lidhur me procedimin penal ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Llalla mohoi hipotezat për ndikime politike:

"Jo, rasti i Tahirit ishte një rast normal që u ndoq nga prokuroria dhe gjykatat përkatëse. Nuk mendoj se ishte rast përndjekjeje."

Për sa i përket marrëdhënieve me pushtetin gjatë kohës që ushtronte detyrën, ai deklaroi:

"Në punën time nuk kam pasur asnjëherë një sulm politik nga mazhoranca apo opozita. Përkundrazi, në të dyja rastet jam miratuar me pëlqimin e të dyja palëve parlamentare. Nuk kam pasur votë kundër. Nuk kam ndjerë gjatë ushtrimit të funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm presion nga njëra palë apo tjetra."

Lidhur me shpalljen "non grata" nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së dhe përplasjet me ish-ambasadorin Donald Lu, Llalla ngriti pikëpyetje mbi vendimmarrjen:

"Ajo që dua të theksoj është fakti: A mund të përbënte Shqipëria rastin e parë në botë të shpalljes non grata të një zyrtari? Shqipëria si shtet, ndërkohë që bota ka probleme më të mëdha, zyrtarë të korruptuar, të dënuar, dhe a mund të isha unë rasti i parë në botë? Krahas përplasjeve me ambasadorin, debateve kryesisht lidhur me Reformën në Drejtësi, çdo gjë mund të ketë ndikuar. Ndaj meje, me përfundimin e mandatit, filluan hetimet për një sërë çështjesh penale, përfshirë korrupsionin, por përfundoi në mosdeklarim pasurie. I jam drejtuar Departamentit të Shtetit, përgjigjja erdhi, vendimi është marrë mbi bazën e opinioneve që ka. Por realisht deri në atë periudhë nuk ka pasur asnjë shkrim në gazetë apo media që të etiketohem për korrupsion."

Për mundësinë e një komunikimi të drejtpërdrejtë me diplomatin amerikan Donald Lu, ai u shpreh:

"Nuk do të preferoja të isha më pjesë e debatit me atë zyrtar. Unë pata provuar çfarë është mendimi ndryshe me të dhe nuk dua më të jem pjesë e debatit."

Në përmbyllje të intervistës, Llalla dha vlerësimin e tij edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë:

"Është një vendim totalisht i padrejtë që merret përsëri ndaj shqiptarëve, popull gjithmonë i persekutuar nga Perëndimi. U gjet sërish dikush që shqiptarët të ishin të ndëshkuar."

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit