

Policia e Kosovës ka shpallur zyrtarisht në kërkim Adnon Jasharin, të akuzuarin për vrasjen e 27-vjeçares Diana Kastrati, ngjarje e ndodhur më 18 maj 2011 në Prishtinë. Shpallja në kërkim dhe publikimi i fotografisë së të dyshuarit u bë me urdhëresë gjyqësore, në prag të seancës gjyqësore në mungesë të parashikuar për më 10 nëntor 2026.
Diana Kastrati u qëllua për vdekje me armë zjarri pasi kishte vendosur të ndahej nga i dyshuari, me të cilin kishte edhe një vajzë. Ngjarja shkaktoi reagime të shumta institucionale, pasi 22 ditë para vrasjes, e ndjera i ishte drejtuar Gjykatës Komunale në Prishtinë për urdhër mbrojtjeje urgjente, kërkesë e cila nuk u trajtua brenda afatit ligjor 24-orësh.
Pas një beteje të gjatë ligjore të nisur nga prindërit e viktimës kundër shtetit për mosveprim institucional, Gjykata e Apelit vendosi në vitin 2023 caktimin e një dëmshpërblimi prej 30 mijë eurosh. Autoritetet i kanë bërë thirrje qytetarëve që të përcjellin çdo informacion të mundshëm për lokalizimin dhe arrestimin e Jasharit, i cili akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






