

Nënë e bir që akuzohen për vrasjen e kryefamiljarit Urim Fiku, folën sot në sallën e gjyqit për ngjarjen e pak ditëve më parë duke mohuar të kenë gisht në krimin e denoncuar nga policia.
Sadete Fiku 58 vjeçe dhe djali i saj Gazmir Fiku nxorën një version krejt të ndryshëm nga policia, për ngjarjen e rëndë. Ndërsa u vetëshpallën të pafajshëm, nënë e bir u lanë nën arrest me burg nga Gjykata.
Ata thanë se Urimi erdhi në shtëpi i shpërfytyruar nga sulmi që kishte pësuar nga një ari në pyll ku kishte dalë për gjueti derrash të egër. Urimi vendoste leqe (kurthe) për të zënë kafshët e egra.
Dy të dyshuarit thanë se Urimi arriti të afrohet deri në shtëpi vetë por kishte plagë të rënda në trup dhe ishte i gjakosur nga kafshimet e një ariu që e kishte sulmuar.
Më tej ata shpjeguan dhe plumbin në gjoks që iu gjet të ndjerit. Sipas tyre kur 61 vjeçari ka hyrë në shtëpi, ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar veten në gjoks.
Sadetja tha se njoftoi spitalin e Bulqizës duke kërkuar ndihmë dhe një autoambulancë. Pak më vonë telefonuan sërish duke thënë se Urimi kishte vdekur.
Sadetja tha gjithashtu se djali i tyre Gazmiri as që ishte në shtëpi sepse ishte në punë në OSHEE ku prej vitesh është supervizor.
Versioni i nënë e bir është i ndryshëm nga ai që dha policia e cila tha fillimisht se Urim Fiku kishte vdekur se e sulmoi ariu dhe një ditë më vonë dha këtë version:
"Zbardhet ngjarja e ndodhur në fshatin Godvi, Bulqizë, ku fillimisht u raportua se një shtetas kishte humbur jetën pas sulmit nga një kafshë e egër.
Arrestohen bashkëshortja dhe djali i tij, të dyshuar për vrasjen e tij me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.
Më datë 04.11.2026, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, pas një hetimi intensiv, u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes së ndodhur më datë 03.11.2026, në fshatin Godvi, Bulqizë.
Fillimisht, familjarët e shtetasit U. F. raportuan se ai kishte humbur jetën si pasojë e sulmit nga një kafshë e egër (ari), por nga hetimet e kryera dhe ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se ky shtetas ishte vrarë me armë zjarri.
Në vijim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi i shtetasve:
* S. F., 57 vjeçe;
* G. F., 33 vjeç;
të dy banues në fshatin Godvi (përkatësisht bashkëshortja dhe djali i shtetasit U. F.).
Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse shtetasin U. F.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e gjetur në oborrin e banesës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.
Tani priten aktet e ekspertimit të mjekësisë ligjore dhe hetimet e policisë shkencore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






