

SPAK dërgon për gjykim procedimin nr.5 të vitit 2025, kërkohet konfiskimi i 16 pasurive me vlerë tregu mbi 2 milionë euro
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe sot më 6 nëntor 2026, i ka paraqitur Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit pasuror nr. 5 të vitit 2025.
Kërkesa për gjykim është paraqitur ndaj Nikolin Gjolena dhe Klevent Gjolena, si dhe gjashtë personave të tjerë të lidhur me ta.
Nikolin e Klevent Gjolena u akuzuan dhe u dënuan si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që mundësoi trafikimin nga Kolumbia në Shqipëri të një sasie prej 485.5 kg kokainë, që ishte fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial.
Lënda narkotike u sekuestrua më 24 nëntor të vitit 2022 në fshatin Frakull e Madhe të Bashkisë Fier. Të 11 të pandehurit në këtë çështje, mes tyre dhe ish-kryetari socialist i ish-komunës Frakull në Fier, Viktor Çervanaku u deklaruan fajtorë në të dy shkallët e Gjykatës së Posaçme dhe u dënuan në total me 88 vjet e 4 muaj burgim.
Nga hetimet e kryera rezulton se Prokuroria e Posaçme ka regjistruar fillimisht procedimet penale nr.141/2022 dhe 141/1.1 të vitit 2026, në ngarkim të shtetasve Nikolin Gjolena dhe Klevent Gjolena, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, "Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
Këto procedime penale lidhen me sekuestrimin, më datë 24.11.2022, në fshatin Frakull e Madhe, Fier, të një sasie prej 485,5 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, e cila ishte fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial të trafikuar nga Kolumbia drejt Shqipërisë.
Me vendimin nr. 39, datë 26.6.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur deklarimin fajtor të shtetasit Nikolin Gjolena, për të gjitha akuzat që i atribuoheshin, duke e dënuar përfundimisht me 11 vjet e 4 muaj burgim. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit me vendimin nr. 58, datë 30.12.2024.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se pasuritë objekt kërkese për konfiskim janë drejtpërdrejt ose tërthorazi, në zotërim të shtetasve Nikolin Gjolena dhe Klevent Gjolena, si dhe personave të lidhur me ta, sipas nenit 3, të ligjit 10192/2009.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në emër të shtetasve Nikolin Gjolena dhe Klevent Gjolena, familjarëve të tyre si dhe personave të lidhur me ta, janë identifikuar ndër të tjera dhe 16 pasuri të paluajtshme të llojeve “njësi”, “apartamente” dhe “garazhe” të ndodhura në Tiranë dhe Durrës, (3 apartamente, 2 garazhe në Tiranë), (3 njësi dhe 8 apartamente në Durrës).
Më konkretisht:
1. Pasuri e llojit “Apartament” me sipërfaqe 75.7 m2, ndodhur në rrugën “Shinasi Dishnica” Tiranë,
2. Pasuri e llojit “Apartament” me sipërfaqe 69,8 m2, me vlerë 48,860 euro, ndodhur në rrugën “Shinasi Dishnica”, Tiranë,
3. Pasuri e llojit “Apartament” me sipërfaqe 68.85 m2, e ndodhur në ZK 8130, Tiranë,
4. Pasuri e llojit “Garazh” me sipërfaqe 40,3 m2 ndodhur në rrugën “Shinasi Dishnica”, Tiranë.
5. Pasuri e llojit “Garazh”, me sip. 40,3 m2 ndodhur në rrugën “Shinasi Dishnica”, Tiranë.
6. Pasuri e lloji “Njësi tregtare” me sipërfaqe 165 m2, ndodhur në lagjen 13, Plazh, Durrës
7. Pasuri e llojit “Njësi tregtare” me sipërfaqe 100 m2, ndodhur në lagjen 13, Plazh, Durrës
8. Pasuria e lloji “Njësi tregtare” me sipërfaqe 60 m2, ndodhur në lagjen 13, Plazh, Durrës
9. Pasuri e llojit “Apartament” me sipërfaqe 91.6 m2, ndodhur në lagjen 13, Plazh, Durrës
10. Pasuri e llojit “Apartament” me sipërfaqe 88.5 m2, ndodhur në lagjen 13, Plazh, Durrës
11. Pasuri e llojit “Apartament” me sipërfaqe 76.8 m2, ndodhur në lagjen 13, Plazh, Durrës
12. Pasuri e llojit “Apartament” me sipërfaqe 76 m2, ndodhur në lagjen 13, Plazh, Durrës
13. Pasuri e llojit “Apartament” me sipërfaqe 71.2 m2 ndodhur në lagjen 13, Plazh, Durrës
14. Pasuri e llojit “Apartament” me sipërfaqe 70 m2, ndodhur në lagjen 13, Plazh, Durrës
15. Pasuri e llojit “Apartament” me sipërfaqe 62 m2, ndodhur në lagjen 13, Plazh, Durrës
16. Pasuri e llojit “Apartament” me sipërfaqe 60.5 m2, ndodhur në lagjen 13, Plazh, Durrës.
Nga aktet e administruara gjatë hetimit ka rezultuar se, për financimin e disa prej pasurive objekt i kërkesës për konfiskim, janë kryer pesë transferta monetare në shuma të konsiderueshme, në vlerën prej 42.942 USD dhe 404.733 euro. Transfertat janë kryer në emër të familjarëve të personave nën hetim dhe kanë ardhur nga vende të ndryshme të Amerikës Qendrore dhe të rajonit të Karaibeve, të njohura si parajsa fiskale.
SPAK thotë se bazuar në tërësinë e veprimeve hetimore dhe mandej në aktin e ekspertimit kontabël është konkluduar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në indicie, se shtetasit Nikolin Gjolena dhe Klevent Gjolena dhe personat e lidhur me ta, nuk arritën që të vërtetojnë ligjshmërinë e të ardhurave që janë përdorur si burim për krijimin e pasurive të paluajtshme.
Vlera totale e pasurive objekt kërkese për konfiskim, sipas periudhës së nënshkrimit të kontratave shkon përafërsisht në shumën prej 1,000,000 Euro, ndërsa vlera e këtyre pasurive referuar çmimit të tregut, arrin në shumën prej mbi 2.000.000 euro.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






