Transmetuar më 06-11-2026, 18:13

Policia greke ka arrestuar në zonën e Patisionit në Athinë 44-vjeçarin shqiptar Nikolin Pali, i cili ndodhej në arrati prej tetorit të vitit 2020 i akuzuar për vrasjen e dyfishtë të ish-partneres së tij ukrainase dhe bashkëshortit të saj farmacist.

I dënuar më parë në mungesë me dy burgime të përjetshme, Pali u lokalizua në një apartament ku u gjetën dokumente të falsifikuara, një pistoletë me fishekë dhe dy granata dore. Ndërhyrja e Departamentit të Vrasjeve parandaloi përdorimin e armëve nga i shumëkërkuari, ndërsa autoritetet dyshojnë se ai po përgatiste një tjetër sulm dhe po hetojnë përfshirjen e tij të mundshme në ngjarje të tjera kriminale gjatë viteve të arratisë.

Krimi i rëndë ndodhi më 11 tetor 2020 në Loutraki, ku 44-vjeçari hyri me çelës të vjedhur në banesën e pushimit të ish-partneres 43-vjeçare Svetlana dhe goditi për mort me sëpatë atë dhe partnerin e saj 42-vjeçar, Ioannis Zonitsas. Pas krimit, ai dogji automjetin e viktimës për të zhdukur gjurmët dhe arriti t’u shmangej kërkimeve të policisë greke dhe shqiptare për gjashtë vite me radhë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit