Transmetuar më 06-11-2026, 17:09

Gjashtë vite në arrati, një krim që tronditi Greqinë dhe një arrestim spektakolar në Athinë! Policia i gjeti shqiptarit një pistoletë dhe dy granata, ndërsa po hetohet nëse përgatitej për një tjetër sulm. Detajet e frikshme të ngjarje

Pas gjashtë vitesh në arrati, policia greke ka arrestuar 43-vjeçarin shqiptar Nikolin Pali, i kërkuar për një vrasje të dyfishtë që tronditi Korinthin në tetor të vitit 2020. Niko, siç njihej në Loutraki të Greqisë, u arrestua në zonën Patisia të Athinës, gjatë një operacioni të organizuar nga autoritetet greke.

Si pjesë e të njëjtit operacion, u arrestua edhe një grua 41-vjeçare me origjinë të huaj, e cila akuzohet për strehimin e një krimineli dhe shkelje të ligjit për të huajt.

Sipas mediave greke, shqiptari përdorte dokumente identiteti të falsifikuara për t’iu shmangur identifikimit dhe arrestimit. Gjatë kontrollit në apartamentin ku fshihej, policia zbuloi një pistoletë dhe dy granata dore, të cilat 43-vjeçari nuk arriti t’i përdorte gjatë ndërhyrjes së efektivëve.

Autoritetet dyshojnë se ai mund të ketë qenë duke përgatitur një tjetër sulm, ndërsa po hetojnë edhe përfshirjen e tij të mundshme në ngjarje të tjera kriminale.

Sipas burimeve policore të cituara nga mediat greke, Pali konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë dhe dyshohet se mund të ketë vepruar edhe si vrasës me pagesë. Ai ishte dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 11 tetor 2020, në zonën Flambouro të Korinthit, pranë Lutrakit.

43-vjeçarja Fotini, viktimë e të arrestuarit

Viktimat ishin ish e dashura e tij, Svetllana, një grua ukrainase 43-vjeçare, e njohur edhe me emrin Fotini, dhe farmacisti 42-vjeçar Ioannis Zonitsas. Të dy u gjetën të pajetë në një banesë verore, pasi ishin goditur disa herë me sëpatë.

Hetimet e atëhershme u përqendruan te ish-partneri i gruas, i cili dyshohej se nuk kishte pranuar përfundimin e marrëdhënies së tyre.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga mediat greke, gruaja kishte nisur një lidhje me farmacistin, i cili zotëronte një farmaci përballë banesës së saj. Ata kishin vendosur të kalonin fundjavën së bashku në shtëpinë verore të 43-vjeçares.

Mbrëmjen e krimit, çifti kishte konsumuar verë në oborr dhe më pas ishte futur në banesë. Në atë moment, ish-partneri dyshohet se kishte hyrë në shtëpi duke përdorur një çelës rezervë që e kishte siguruar më parë.

Pasi i kishte gjetur në dhomën e gjumit, ai dyshohet se i kishte sulmuar me sëpatë, duke u shkaktuar plagë fatale. Më pas, sipas hetimeve, kishte marrë telefonat celularë të viktimave dhe ishte larguar nga vendngjarja.

Për të zhdukur gjurmët, dyshohet se kishte marrë edhe automjetin hibrid Toyota të gruas, të cilit më pas i kishte vënë flakën.

Pas ngjarjes, autoritetet greke nisën kërkimet për shqiptarin në Athinë, Mykonos dhe Shqipëri, por ai arriti t’i shmangej arrestimit për gjashtë vite.

Sipas raportimeve, Pali kishte pasur probleme të mëparshme me drejtësinë greke. Ai ishte arrestuar në vitin 2014 për grabitje dhe ishte liruar nga burgu në vitin 2017.

Gjatë kohës që ishte në arrati, 43-vjeçari raportohet se jetonte në apartamentin ku u arrestua, së bashku me një grua tjetër. Ai dilte shumë rrallë nga banesa, kryesisht për të kryer aktivitete të caktuara.

Pas arrestimit, policia greke po heton veprimtarinë e tij gjatë gjashtë viteve të fundit, për të zbuluar nëse ka qenë i përfshirë në vrasje apo krime të tjera të rënda.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit