Transmetuar më 06-11-2026, 15:41

Tiranë, 6 nëntor 2026 – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një video të krijuar me inteligjencë artificiale, ndërsa ndodhet në paraburgimin e Fierit. Në mesazhin e tij, Veliaj deklaron se vijon të merret me projektet e bashkisë dhe se ka miratuar 15 projekte të reja për ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve në kryeqytet.

Në postimin e publikuar, Veliaj përsërit akuzat e tij për mënyrën e arrestimit dhe mbajtjen në paraburgim, të cilën e cilëson politikisht të motivuar. Ai pretendon se është larguar me forcë nga zyra e kryetarit të bashkisë dhe se ndaj tij janë ndërmarrë veprime të paligjshme.

“Edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia!”, shkruan Veliaj, duke theksuar se, pavarësisht situatës ku ndodhet, vijon të ndjekë projektet për fëmijët e Tiranës.

Sipas tij, me projektet e miratuara së fundmi, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara ose të projektuara gjatë administrimit të tij arrin në 130.

Lista e publikuar përfshin 15 investime në njësi të ndryshme administrative të Tiranës, si dhe në zonat e Petrelës dhe Dajtit. Projektet parashikojnë kapacitete të ndryshme, nga 16 deri në 150 fëmijë për secilin objekt.

Projektet e miratuara janë: 1. Njësia 9 – Kopsht në Don Bosko, me kapacitet për 150 fëmijë. 2. Njësia 12 – Kopsht në Fresk, me kapacitet për 150 fëmijë. 3. Njësia 13 – Çerdhe në Kodrën e Diellit, me kapacitet për 50 fëmijë. 4. Njësia 9 – Çerdhe në Don Bosko, me kapacitet për 100 fëmijë. 5. Njësia 13 – Çerdhe në Liqenin e Thatë, me kapacitet për 50 fëmijë. 6. Njësia 9 – Çerdhe në Stacionin e Trenit, me kapacitet për 100 fëmijë. 7. Petrelë – Kopsht në Daias, me kapacitet për 16 fëmijë. 8. Dajt – Kopsht në Tufinë, me kapacitet për 33 fëmijë. 9. Njësia 12 – Kopsht në zonën “17 Shkurti”, me kapacitet për 122 fëmijë. 10. Njësia 1 – Kopsht pranë Tregut Elektrik, me kapacitet për 120 fëmijë. 11. Njësia 7 – Çerdhe në Fushën e Aviacionit, me kapacitet për 100 fëmijë. 12. Njësia 7 – Çerdhe në Doganë, me kapacitet për 100 fëmijë. 13. Njësia 7 – Kopsht në Zogun e Zi, me kapacitet për 150 fëmijë. 14. Njësia 14 – Çerdhe në Yzberisht, me kapacitet për 100 fëmijë. 15. Njësia 14 – Çerdhe në Astir, me kapacitet për 100 fëmijë. Në total, 15 projektet parashikojnë kapacitete për 1,441 fëmijë. Veliaj i ka publikuar të dhënat për secilin investim, por në postimin e tij nuk ka dhënë afate për nisjen apo përfundimin e punimeve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit