Transmetuar më 06-11-2026, 15:39

Tiranë, 6 nëntor 2026 – Bashkëshortja dhe djali i Urim Fikut, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e 61-vjeçarit, kanë mohuar autorësinë gjatë seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre.

Sadete Fiku, 57 vjeçe, dhe djali i saj, Gazmir Fiku, 33 vjeç, mësohet se janë shprehur para gjykatës se nuk kanë lidhje me ngjarjen. “Nuk e vramë ne, nuk kemi lidhje me ngjarjen”, kanë deklaruar ata.

Seanca po zhvillohet në Gjykatën e Dibrës dhe, sipas raportimeve, ka vijuar për rreth dy orë.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 nëntor në fshatin Godvi të Bulqizës, ku humbi jetën 61-vjeçari Urim Fiku. Policia njoftoi arrestimin e bashkëshortes dhe djalit të tij një ditë pas ngjarjes, nën dyshimin për përfshirje në vrasje.

Fillimisht, familjarët kishin pretenduar se 61-vjeçari ishte sulmuar nga një ari.

Megjithatë, ekspertiza mjeko-ligjore e kryer në Tiranë zbuloi një plagë në gjoks, të shkaktuar nga arma e zjarrit.

Gjithashtu, në trupin e viktimës u konstatuan dëmtime në kokë, çka shtoi dyshimet e hetuesve për rrethanat e vdekjes.

Sipas raportimeve, familjarët e kishin transportuar Urim Fikun në spitalin e Bulqizës, ku ai kishte mbërritur pa shenja jete.

Ata nuk kishin pranuar që trupi të përgatitej nga personeli spitalor, duke deklaruar se, sipas traditës së tyre, këtë proces do ta kryenin vetë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes. Sadete dhe Gazmir Fiku mbeten të dyshuar, ndërsa përgjegjësia e tyre penale do të përcaktohet nga organet e drejtësisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit