

Tiranë, 6 nëntor 2026 – Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën e re online “Fol me Kryeministrin”, një hapësirë komunikimi përmes së cilës studentët dhe qytetarët do të kenë mundësi të përcjellin drejtpërdrejt shqetësimet, opinionet dhe kërkesat e tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se platforma është tashmë funksionale, duke e cilësuar atë si një urë komunikimi të hapur 24 orë në ditë.
Kreu i qeverisë theksoi se kjo nismë synon të krijojë mundësi për dialog dhe shkëmbim të lirë të informacionit, në një periudhë kur marrëdhëniet mes qeverisë dhe studentëve janë shoqëruar me protesta dhe tensione.
Sipas Ramës, një skuadër e dedikuar do të merret me administrimin e komunikimeve dhe garantimin e qarkullimit të informacionit dhe opinioneve përmes kësaj platforme.
“Një urë funksionale, një urë e hapur 24 orë, një urë ku patjetër një skuadër e dedikuar do të garantojë gjithë qarkullimin e informacionit edhe të opinioneve që shkëmbehen”, u shpreh kryeministri gjatë prezantimit.
Ai ftoi studentët dhe të gjithë qytetarët e interesuar të përdorin këtë mundësi komunikimi, duke vënë në dukje se teknologjia mund të shërbejë si një instrument për zhvillimin e dialogut, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme.
Prezantimi i platformës vjen pas protestave dhe përplasjeve të fundit që kanë shoqëruar komunikimin mes studentëve dhe përfaqësuesve të qeverisë. Ndërkohë, mbetet për t’u parë se si do të funksionojë në praktikë kjo hapësirë dhe në çfarë mase shqetësimet e qytetarëve do të marrin përgjigje të drejtpërdrejta nga kryeministri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






