

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen protestës në mbështetje të lëvizjes studentore, e cila prej ditësh ka nisur tubimet në kryeqytet.
Përmes një deklarate për mediat, Berisha kërkoi pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve pa dallim bindjesh politike apo moshe, duke e cilësuar qëndresën e studentëve si një kauzë me rëndësi kombëtare për të ardhmen e vendit.
“Së pari, një thirrje miqësore për çdo qytetar shqiptar, të bashkohemi nesër në protestën më të fuqishme në mbështetje të revoltës studentore kundër Padrinos së Shqipërisë, kreut të organizatës kriminale, narkodiktaturës që ka vendosur ai. Suksesi i revoltës studentore është sukses i çdo qytetari shqiptar që e do këtë vend. Është sukses i shqiptarëve të të gjitha moshave dhe bindjeve që duan të ndërtojnë jetën në Shqipëri. Është sukses për kombin shqiptar, i cili po e boshatis këtë vend ndër më të pasurit në Evropë dhe në botë. Është sukses i shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve,” tha Berisha.
Në vijim të fjalës së tij, kreu i PD-së vlerësoi vendosmërinë dhe qëndresën e të rinjve në këtë protestë, duke kërkuar mbështetje gjithëpërfshirëse për kërkesat e tyre.
“Thirrja ime është: të gjithë me studentët, të gjithë për studentët, për suksesin e revoltës së tyre. Studentët kanë dëshmuar kulmet e guximit të shqiptarëve. Studentët kanë habitur shqiptarët dhe botën me trimërinë, sakrificat, vendosmërinë e tyre. Ata meritojnë çdo mbështetje,” përfundoi Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






