

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një grafik mbi ecurinë e kursit të këmbimit valutor mes euros dhe lekut, përmes të cilit ka kundërshtuar pretendimet zyrtare se rënia e monedhës evropiane është pasojë e rritjes së fluksit të turistëve në Shqipëri.
Sipas kryedemokratit, shkaku kryesor i zhvlerësimit të fortë të euros lidhet drejtpërdrejt me hyrjen e parave të gjeneruara nga aktiviteti i karteleve të drogës në ekonominë shqiptare.
Për të mbështetur argumentin e tij, Berisha bëri një krahasim shifrash mes viteve 2007 dhe 2022. Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, në vitin 2007 Shqipëria priti rreth 1.8 milionë turistë dhe euroja këmbehej me rreth 120 lekë, ndërsa në vitin 2022, kur numri i vizitorëve arriti në 9 milionë, kursi i këmbimit ishte në nivelin e 127 lekëve për euro.
Berisha akuzoi qeverinë dhe institucionet financiare se përdorin turizmin si një alibi për të fshehur fenomenin e atij që e cilësoi si “narko-euro”. Ai pretendoi se rënia më e madhe e monedhës europiane është vërejtur pas vitit 2022, periudhë që sipas tij përkon me zgjerimin e aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare në tregun evropian të kokainës.
“Me gjithë 9 milionë turistë në Shqipëri, euro konvertohej me 127 lekë, pra ishte më e fuqishme sesa në vitin 2007, kur ajo konvertohej me 120 lekë. Heshtja para këtij krimi monstruoz ndaj ekonomisë dhe xhepave të shqiptarëve është bashkëfajësi, është mbështetje për këtë zhvillim,” deklaroi Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






