

TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në kantierin e Bypass-it të Tiranës, një nga veprat më kryesore të infrastrukturës rrugore në vend me gjatësi prej 21 kilometrash.
Aksi rrugor synon krijimin e një lidhjeje të drejtpërdrejtë mes autostradës Tiranë–Durrës dhe asaj Tiranë–Elbasan, duke shmangur hyrjen e mjeteve në brendësi të kryeqytetit dhe duke u ndërlidhur me segmentet e Korridorit Blu. Durante inspektimit, kryeministri shoqërohej nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli.
Ndërsa shpjegoi ecurinë e punimeve në 10 kilometrat e parë të financuar nga ARRSH, ministri Karakaçi nënvizoi se “Këtu jemi në 10 kilometrat e parë të cilat janë të financuar dhe kontraktuar nga ARRSH. Punimet kanë ecur mirë, jemi në nivelin e rreth 50% të punimeve të kryera në dy lotet që janë kontraktuar. Pjesa tjetër vijuese sepse gjithë aksi është 21 kilometër, pjesa vijuese 11 kilometra është me financim të BERZH për të cilën ne kemi marrë dhe një grant 40%, rreth 53 milionë euro nga korniza e Ballkanit Perëndimor për investime. Ne presim që brenda tre mujorit të parë 2027 të miratojmë marrëveshjen e financimit me BERZH për të filluar edhe në segmentin e mbetur 11 kilometërshi, vijimin e punimeve.”
Më tej, Karakaçi shtoi se “Brenda fundit të vitit fillojmë ndërtimin. Brenda muajit nëntor unë parashikoj shpronësimet e para të koncesionit Kashar-Rogozhinë dhe brenda fundit të vitit fillojnë dhe punimet për këtë aks të rëndësishëm që ndërlidh pastaj të gjithë korridorin blu. Dhe në këtë kuptim dhe segmenti që sapo pamë by-passi Tiranës shërben si valvul shumë e mirë se përveçse dalim nga nevoja për të hyrë në Tiranë për çdo segment në jug, nga ana tjetër bën ndërlidhjen e Korridorit Blu.”
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama vuri në dukje ndikimin ekonomik të këtij projekti për banorët e zonës dhe lehtësimin e qarkullimit për të gjithë vendin.
“Ajo që të gjithë duhet ta mbajnë parasysh në këtë zonë, është rritja e ndjeshme e vlerës së pronës së tyre, ndërkohë që pa diskutim çdo shpronësim do të bëhet ashtu si duhet, me transparencë sipas ligjit dhe ndërkohë do të jetë një aks që do ta çlirojë kryeqytetin nga një ngarkesë e tepërt e cila është një ngarkesë e detyruar si pasojë e mungesës së këtij aksi ku të gjithë futen në Tiranë. Kështu një pjesë e fluksit do të vazhdojë lirshëm drejt jugut ose juglindjes, në varësi nga drejtimet dhe pjesa tjetër do të ketë më shumë lirshmëri për të hyrë dhe për të dalë në kryeqytet,” theksoi Rama.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






