

TIRANË — Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Rolando Maran, ka sqaruar arsyet e përzgjedhjes së lojtarëve në listën e dy ndeshjeve të fundit të fazës së grupeve në UEFA Nations League, duke theksuar se orientimi kryesor ka qenë forma aktuale dhe minutazhi në klubet përkatëse.
Gjatë konferencës për shtyp, tekniku kuqezi u ndal te mungesat e bujshme dhe vendimet për futbollistë të veçantë, duke konfirmuar se tërheqja e mbrojtësit Ivan Balliu erdhi me dëshirën e vetë lojtarit për shkak të problemeve fizike që e kanë shoqëruar.
“Nëse mungon ndonjë lojtar, nuk do të thotë që nuk është i aftë për ta ndihmuar skuadrën. Jam bazuar shumë te forma dhe te minutazhi që kanë pasur me klubet e tyre. Sa i përket përmirësimit të statistikave, për të gjithë Ligën C, jemi në vendin e parë për sa i përket pritshmërive për të shënuar gol dhe në vendin e parë për ekipet që kanë pësuar më pak gola. Dua të stërvis një skuadër që t’i ketë këto statistika,” u shpreh Maran.
Duke sqaruar detajet rreth largimit të Balliut dhe gjendjes së portierit Thomas Strakosha, trajneri u shpreh se “Sa i përket Ivan Balliut, ishte një zgjedhje e tij. Prej kohësh ai ka pasur një dëmtim. Është vendimi i tij për t’u tërhequr nga Kombëtarja. Sa i përket Strakoshës, nuk është në 100% e tij. Nëse do ta luanim, do ta vendosnim në vështirësi.”
Në lidhje me lojtarët e tjerë të lënë jashtë listës, si dhe mundësitë e ardhshme për emra si Tuci apo Asani, Maran shtoi se “Presioni është pozitiv dhe të nxit të bësh mirë për të arritur objektivin për të qenë në krye. Kam folur me lojtarët dhe ata e duan këtë objektiv. Në këtë listë doja të konfirmoja lojtarët me të cilët kam punuar deri më tani. Tuci është lojtar i mirë, më pëlqen dhe nëse do të vazhdojë të shënojë dhe të jetë në formë të mirë, e ka derën e hapur, kemi gjithnjë nevojë për lojtarë të mirë.”
Në fund të prononcimit të tij, tekniku italian ka bërë me dije një nismë për t’u afruar më shumë me mbështetësit e skuadrës kombëtare, duke njoftuar se “Kemi dëshirë të jemi sa më afër edhe me tifozët dhe kemi vendosur që të hënën do të hapim portat e stërvitjes për të gjithë tifozët që duan të jenë pranë nesh. Duam të kemi një sinergji për të gjithë njerëzit që e duan këtë fanellë.”



Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






