Transmetuar më 06-11-2026, 10:21

ATHINË — Një rrjet i strukturuar i trafikimit të emigrantëve nga Shqipëria drejt Greqisë është goditur nga autoritetet policore greke në bashkëpunim me agjencinë Europol, gjatë një operacioni të gjerë të zhvilluar në Selanik dhe Thesproti.

Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit u bë i mundur arrestimi i 10 personave, mes të cilëve edhe një shtetase shqiptare 33-vjeçare. Nga veprimet hetimore të kryera rezulon se organizata kriminale kishte arritur të trafikonte mbi 500 emigrantë prej muajit qershor të vitit 2025, përmes kryerjes së 41 kalimeve të paligjshme të kufirit shtetëror.

Sipas skemës së përdorur nga rrjeti, emigrantët kalonin kufirin në këmbë përmes shtigjeve malore dhe më pas transportoheshin me mjete drejt qyteteve të ndryshme greke, ku disa prej tyre shfrytëzoheshin për punë të papaguar dhe pa dokumentacion të rregullt qëndrimi. Fitimet e paligjshme të përfituara nga ky aktivitet përllogariten në të paktën 750 mijë euro.

Përveç anëtarëve të rrjetit, gjatë operacionit u ndaluan edhe 21 emigrantë pa leje qëndrimi, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjete, shuma monetare, aparate celulare dhe dokumente identifikimi. Hetimet nga autoritetet e huaja po vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit