Transmetuar më 06-11-2026, 09:39

SYDNEY — Zëvendësimi i kripës së zakonshme me kripë të pasuruar me kalium mund të parandalojë rreth 2.96 milionë vdekje dhe 10.17 milionë raste të reja të sëmundjeve kardiovaskulare dhe kronike të veshkave çdo vit në nivel global. Përfundimet dalin nga një studim i kryer nga George Institute for Global Health në Australi, i cili analizoi të dhënat shëndetësore nga 193 vende të botës.

Kjo kripë alternative përmban klorur kaliumi në vend të një pjese të klorurit të natriumit që gjendet te kripa e zakonshme e kuzhinës. Ndërsa ka pamje dhe shije pothuajse identike me kripën tradicionale, ajo ndihmon në adresimin e dy shkaqeve kryesore të rritjes së tensionit të gjakut: konsumit të tepërt të natriumit dhe marrjes së pamjaftueshme të kaliumit në organizëm.

Sipas hulumtuesve, edhe një kalim i pjesshëm drejt kësaj alternative sjell përfitime të mëdha për shëndetin publik. Vetëm zëvendësimi i kripës që përdoret gjatë gatimeve shtëpiake mund të parandalojë 1.85 milionë vdekje dhe 6.19 milionë raste sëmundjesh në vit, ndërsa përdorimi i saj në industrinë e ushqimeve të përpunuara dhe restorante mund të shmangë 1.56 milionë vdekje të tjera.

Ndikimi më i madh i këtij ndryshimi vlerësohet të jetë në azi, veçanërisht në Kinë, ku kalimi i plotë te kripa me kalium mund të parandalojë 1.08 milionë vdekje në vit, ndërsa në Indi shifra përllogaritet në rreth 400 mijë jetë të shpëtuara çdo vit.

Megjithatë, ekspertët mjekësorë tërheqin vërejtjen se kjo alternativë nuk rekomandohet pa konsultë paraprake për personat që vuajnë nga sëmundje të avancuara të veshkave ose ata që përdorin medikamente që rrisin nivelin e kaliumit në gjak, pasi mund të shkaktojë hiperkalemi, një gjendje me rrezik nga tepria e kaliumit në gjak.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka mbështetur zyrtarisht përdorimin e kripës së pasuruar me kalium si një masë efektive për uljen e tensionit të gjakut dhe parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit