

FIER- Në kuadër të një operacioni policor kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore, në Fier janë arrestuar katër persona.
Operacioni i koduar “Clean School” u finalizua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit.
Sipas policisë, hetimet disa mujore, të kryera edhe me metoda speciale, bënë të mundur dokumentimin e veprimtarisë kriminale të pjesëtarëve të një grupi që dyshohet se shpërndante drogë pranë shkollave në qarkun e Fierit.
Në kuadër të operacionit u ekzekutuan katër masa sigurie “Arrest në burg” për shtetasit Kevin Bare, 28 vjeç, Dejvi Ferko, 25 vjeç, Marjus Zhaka, 48 vjeç dhe Taulant Çela, 52 vjeç, të gjithë banues në Fier.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Clean School”.
Goditet një grup kriminal që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave. Vihen në pranga 4 shtetas, si dhe shpallet në kërkim një tjetër. Sekuestrohen 2.9 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 2 peshore elektronike dhe 4 aparate celularë.
Pas një hetimi disa mujor, të ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u bë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të pjesëtarëve të një grupi që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të institucioneve arsimore në qarkun Fier.
Bazuar në provat e siguruara, Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, finalizoi operacionin policor të koduar “Clean School”. Gjatë operacionit u ekzekutuan 4 nga masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata, konkretisht për shtetasit: K. B., 28 vjeç, D. F., 25 vjeç, M. Zh., 42 vjeç dhe T. Ç., 52 vjeç, të katërt banues në Fier. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e shtetasit E. B., 38 vjeç, banues në Fier, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e personave të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.9 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 2 peshore elektronike dhe 4 aparate telefonike celularë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
DVP Fier vijon angazhimin për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, me fokus të veçantë parandalimin dhe luftën kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe komunitetit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






