

Egnatia ka pësuar humbjen e parë në fazën e ligës në Conference League, pasi u mposht me rezultatin 2-0 në transfertë nga skuadra rumune Universitatea Craiova, në takimin e vlefshëm për javën e tretë të këtij kompeticioni evropian. Kampionët e Shqipërisë panë t’u përcaktohej fati i sfidës që në pjesën e parë, ku vendasit u treguan mjaft efikasë përpara portës duke shfrytëzuar hapësirat e dhëna nga rrogozhinasit.
Skuadra nga Craiova zhbllokoi shifrat në minutën e 24-t me anë të Alexandru Cicâldău, ndërsa vetëm tetë minuta më vonë, në të 32-tën, Nicușor Bancu dyfishoi avantazhin për rumunët. Përpjekjet e Egnatisë për të reaguar në pjesën e dytë u zbehën përfundimisht në minutën e 83-të, kur mbrojtësi Eneo Bitri u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë ekipin e tij me një lojtar më pak për minutat e mbetura të takimit.
Pas dy barazimeve të arritura në dy sfidat e para, kjo disfatë e rendit Egnatian në vendin e 26-të të tabelës me vetëm dy pikë të grumbulluara. Kampionët shqiptarë tashmë duhet të kërkojnë me çdo kusht kthimin te rezultatet pozitive në përballjet e ardhshme, për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit në etapën tjetër të aventurës evropiane.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






