Transmetuar më 05-11-2026, 22:30

Akuzohet se masakroi nënën me thikë në Itali, 21-vjeçari shqiptar merret në pyetje, por nuk jep asnjë motiv bindës

Autoritetet gjyqësore italiane kanë zhvilluar seancën e marrjes në pyetje të 21-vjeçarit shqiptar Eduart Xhani, i cili akuzohet për vrasjen e nënës së tij, 39-vjeçares Meleqe Lusha, në banesën e tyre në Chiari të Brescias.

Seanca për konfirmimin e masës së sigurisë u zhvillua në ambientet e repartit psikiatrik të spitalit, ku i riu po mbahet nën vëzhgim pas ekzaminimeve të para nga specialistët mjekësorë.

Para gjyqtarit të Brescias, 21-vjeçari ka konfirmuar autorësinë e krimit, duke përsëritur rrëfimin që u kishte bërë karabinierëve menjëherë pas ngjarjes, teksa ka pohuar se kishte tentuar të vriste edhe veten përpara se të ndërmerrte aktin fatal.

Megjithatë, përgjigjet e dhëna prej tij lidhur me arsyet apo motivet që e shtynë drejt këtij gjesti kanë qenë të paqarta dhe konfuze, duke lënë pa përgjigje pyetjet e hetuesve mbi shkaqet e sulmit të papritur ndaj nënës së tij në kuzhinën e shtëpisë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës, kur i riu, i cili punonte si kamerier dhe nuk kishte precedentë penalë, qëlloi për vdekje me thikë 39-vjeçaren pa pasur ndonjë debat apo tension të dukshëm paraprak.

Pas krimit, ai u end për rreth dhjetë orë me automjetin e tij të tipit Audi nëpër provincat e Brescias dhe Kremonës, për t’u dorëzuar më pas vetë në dyert e kazermave të karabinierëve në Kremonë, ku u tha efektivëve se kishte vrarë nënën e tij.

Gjykatësi ka vendosur të marrë kohë për të shqyrtuar gjendjen e tij psikologjike përpara se të marrë një vendim përfundimtar për masën e sigurisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit