Transmetuar më 05-11-2026, 22:09

Një organizatë shqiptare përdori dy depo si baza për të shpërndarë drogën në të gjithë Spanjën dhe Evropën

Autoritetet spanjolle kanë realizuar sekuestrimin më të madh të kokainës të kryer ndonjëherë në territorin tokësor të Spanjës, duke bllokuar mbi 10 tonë lëndë narkotike me vlerë qindra milionë euro në tregun e zi.

Hetimet e organit të akuzës dhe njësive të specializuara janë përqendruar te një organizatë kriminale me origjinë shqiptare, e cila dyshohet se përdorte dy kapanone industriale në zonën El Labradorcico të Águilas-it si depo qendrore për magazinimin dhe shpërndarjen e drogës drejt tregjeve europiane.

Zbulimi i ngarkesës gjigante u bë krejt rastësisht, pas rrëzimit të një palete nga një pirun ngritës gjë që shkaktoi dëmtimin e paketimeve.

Pasi dëmtuan lëndën narkotike, punëtorët braktisën mjetin e punës dhe u larguan me shpejtësi.

Kur mbërriti një patrullë policie lokale, e njoftuar për një aksident të mundshëm në vendin e punës, gjetën ambientet plotësisht të zbrazura nga njerëzit.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, hetuesit e Njësisë për Luftimin e Krimit të Organizuar (EDOA) zbuluan se paketimet e kokainës mbanin të shënuara adresat e sakta të destinacionit, një detaj kyç që pritet të ndihmojë në zbardhjen e të gjithë rrjetit logjistik.

Sasia e bllokuar tejkalon ndjeshëm aksionet e mëparshme në tokë, ndërsa vjen si pasojë e zhvendosjes së rrjeteve të trafikut nga Ngushtica e Gjibraltarit drejt pikave të tjera bregdetare.

Çështja mbetet nën sekret të plotë hetimor nga Garda Civile dhe Policia Gjyqësore, të cilat po punojnë për identifikimin e anëtarëve të rrjetit shqiptar dhe zbardhjen e rrugëtimit të ngarkesës, meqë deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit