Transmetuar më 05-11-2026, 22:03

Një operacion i gjerë i autoriteteve gjermane kundër trafikut të lëndëve narkotike ka çuar në arrestimin e tetë personave, mes të cilëve gjashtë shtetas shqiptarë, një gjerman dhe një italian. Gjatë aksionit të zhvilluar në landin e Saarland-it dhe në zonën e Nordpfalz-it, hetuesit doganorë dhe policia zbuluan pesë plantacione kanabisi me më shumë se 2,300 bimë. Grupi kriminal dyshohet se e kishte shtrirë aktivitetin e tij në zonat kufitare mes Gjermanisë dhe Francës.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në 11 banesa dhe ambiente biznesi, autoritetet sekuestruan 33 kilogramë amfetaminë, 11.5 kilogramë marihuanë dhe afro një kilogram hashash. Po ashtu, u gjetën sasi lënde narkotike MDMA, tableta ekstazi, një presë për prodhimin e tyre, disa armë zjarri si dhe rreth 22 mijë euro para të gatshme. Hetimet treguan se të dyshuarit përdornin ndërtesa të pabanuara për kultivimin e kanabisit me qëllim shpërndarjen e tij në rajonin ndërkufitar, ndërsa ndaj njërit prej tyre rëndon edhe akuza e trafikimit të armatosur.

Sipas Zyrës së Hetimit Doganor në Frankfurt am Main dhe Prokurorisë së Saarbrücken-it, hetimet kishin nisur që në muajin maj pas një kontrolli rutinë pranë Pirmasensit, ku u bllokua një automjet me 20 kilogramë marihuanë. Operacioni u shtri paralel edhe në Francë, ku në rajonin Grand Est u arrestuan 13 persona të tjerë. Ndërkohë, tetë të arrestuarit në Gjermani u dolën përpara gjyqtarit hetues në Saarbrücken, i cili vendosi masën e paraburgimit për shtatë prej tyre dhe lirim me kusht për njërin.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit